Ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj është marrë i pandehur nga prokuroria e Lezhës me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” për tjetërsimin e pronësisë së disa sipërfaqeve në zonën Kune-Vain-Tale. Bëhet fjalë për një procedim penal të nisur që prej vitit 2017-të, pas një kallëzimi të shtetasit Ardian Mlika, i cili vuri në lëvizje prokurorinë.
Prokuroria thotë se nga hetimi disavjeçar ka rezultuar se punonjës të administratës së ish-Komunës Shënkoll mes të cileve dhe Fran Frrokaj në atë kohë kryetar i kësaj komune, kanë favorizuar regjistrimin e 82 pasurive të paluajtshme për disa persona, të cilët kanë përfituar në mënyre të paligjshme prona publike përmes përgatitjes së AMTP-ve shtesë dhe të falsifikuara, duke i shitur më pas dhe tek personat e tjerë.
Seanca e parë paraprake për vlerësimin e kërkesës së prokurorisë për kalimin e çështjes për gjykim e caktuar të hënën 11 dhjetor, nuk u zhvillua për shkak të mungesës së paleve, duke detyruar gjyqtarin Elvis Sulejmani që ta shtyjë atë për në muajin janar të vitit të ardhshëm.
Frrokaj është i vetmi i pandehur në këtë çështje, pasi në përfundim të hetimeve prokuroria gjeti se për personat të tjerë përgjegjës vepra penale është parashkruar.
Ndërkohë prej prillit 2023 ai po gjykohet në Gjykatën e Posaçme për akuza të ngjashme sëbashku me një grup personash./BIRN