Dëshmon për herë të parë në GJKKO, i penduari i drejtësisë Artan Tafani, i cili zbardhi 17 krime të bandës së Laert Haxhiut. Tafani është përballur me pyetjet e prokurorit Behar Dibra, ku ka rrëfyer rrugëtimin e tij kriminal dhe lidhjet me emra të njohur të botës së krimit në Lushnjë.
Tafani ka treguar se prej vitesh kishte jetuar si emigrant në Greqi, ku ishte përfshirë në aktivitet të paligjshëm me drogë. “Kam qenë emigrant në Greqi, jam marrë me drogë atje. Kisha probleme, pastaj jam kthyer në Shqipëri, ku në vitin 2015 u arrestova për vjedhje”, tha Tafani ndërsa shtoi se ishte përdorues droge dhe kishte një histori të vështirë që nga fëmijëria, kur në vitin 1997 babai i tij u vra në fshatin Karbunarë dhe ai u largua së bashku me nënën në Greqi.
Aty familja kishte një biznes me materiale ndërtimi dhe ai punoi në mënyrë të ndershme në fillim. Megjithatë, më vonë u përfshi sërish në vepra kriminale dhe u arrestua për një vjedhje.
“Kam qenë emigrant në Greqi, jam marrë me drogë atje. Kisha probleme, pastaj jam kthyer ne Shqipëri, ku në vitin 2015 u arrestova për vjedhje. Kisha probleme ekonomike, e vuajta dënimin ne burgun e Rrogozhinës dhe Kosovës në Lushnje. Kam qenë dhe përdorues droge. Në 1997 me vranë babanë në fshatin Karbunarë dhe ika me nënën në Greqi. Isha i vogël, kishim një biznes familjarë me materiale ndërtimi. Fillimisht punova punë të ndershme në Greqi me bojëra, lyerje. Në 2006 që erdha në Lushnje nga Greqia punova me xhaxhain punë ndërtim dhe lyerje, lash edhe drogën, por më pas u ngatërrova prapë dhe rashë në burg në 2015 sepse vodha një ëestern union. Aty me dërgonin lekë njerëzit e afërm nga Greqia. Pas disa muajsh më arrestuan dhe u dënova 6 vite burg”, tha Tafani.
Në paraburgim, Tafani tregon se u njoh me disa djem nga Lushnja, pas një ngjarjeje ku u plagos Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares. Sipas tij, arma e përdorur u gjet në stanin e babait të Laert Haxhiut, Qamil Haxhiu. “Pas ngjarjes erdhi Lulzim Spahiu në paraburgim, më pas edhe Qamil Haxhiu. Me Lulzimin ndenjëm aty bashkë,” dëshmoi Tafani, ndërsa ka treguar edhe takimin e parë me Laert Haxhiun pasi doli nga qelia.
“Në paraburgim jam njohur me disa çuna nga Lushnja, erdhi një Lulzim Spahiu pas ngjarjes ku u plagos Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares dhe arma u gjet tek stani i babait të Laert Haxhiut, zotit Qamil Haxhiu. Pas Lulzimit erdhi dhe Qamili aty. Me Lulzimin kemi ndenj aty, pasi dola nga burgu e kam takuar te një karburant, i Saimir Taullahut. Pasi dola nga burgu me dërgoi fjalë Klajd Taullahu me tha do të të takojë Lulzimi. Donte të bënim ndonjë puna me mall, pastaj u takuam tek Palma Nova me Laert Haxhiun, ishte hera e parë që e takoja, Anterio Kaloshin e kisha në burg ne Rrogozhinë, un vetë kam dhe emrin tjetër Marius”, tha Tafani.
Për këtë dosje SPAK ka marrë të pandehur 8 persona që akuzohen për ngjarje kriminale në disa qytete të vendit. Artan Tafani u arrestua në shtator të 2023 pasi grabiti me armë një pikë këmbimi valutor në zonën e Astirit dhe më pas mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë duke zbardhur krimet e bandës së Laert Haxhiun, mes të cilave 4 vrasje në Shqipëri dhe 2 të tjera në Greqi. Mes rrëfimit ishte dhe planifikimi i Haxhiut për të vrarë persona të drejtësisë, përfshirë prokuroren e SPAK, Doloreza Musabelliu, dhe atë të Lushnjës, Merita Selimi, për të cilat me urgjencë të madhe u mor vendimi për mbrojtjen e tyre.
Ky grup kriminal ndërmori disa vrasje ndaj personave të cilët i mendonte si pjesëtar të grupit të Aldo Bares në Lushnjë, rivali i Laert Haxhiu. Lufta mes bandave të Lushnjës ka nisur pasi njerëz të Aldo Bares i dogjën shtëpinë xhaxhait të Laert Haxhiut, duke pasuar një seri vrasjesh.