Një 34-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar në pikën e kalimit kutiar të Qafë Thanës, në kuadër të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Sipas asaj që bën me dije policia, i arrestuari është Alija Arslan nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut. Ai rezulton i dënuar më 20 vite burg për trafik ndërkombëtar të narkotikëve.
“Në vijim të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për kapjen e shtetasve në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, shërbimet e Policisë Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë ndaluan dhe arrestuan në hyrje të territorit shqiptar shtetasin: Alija Arslan, 34 vjeç, banues në Kërçovë, Maqedonia e Veriut. Nga verifikimet e kryera në bashkëpunim me Interpol Tiranën, rezultoi se ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Bern/Zvicër, në zbatim të një urdhri të lëshuar nga Zyra e Prokurorit Publik të Kantonit Argau. 34-vjeçari është i dënuar me 20 vjet burg, për vepra penale të lidhura me trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve, të parashikuara nga neni 19 i Aktit mbi Narkotikët dhe Substancat Psikotrope të Kodit Penal Zvicerian. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Bern/Zvicër, vijojnë veprimet për ekstradimin e tij drejt Zvicrës”, njoftoi policia.