Gjykata e Posaçme për Korrupsionin e ka shtyrë për në 16 shkurt, ora 9:30, seancën ndaj ish-Kryeministrit Arben Ahmetaj për dosjen “Buka” shpk. Shkak për shtyrjen e seancës u tha se është bërë mungesa e prokurorit.
Kujtojmë se një natë më parë, Ahmetaj, i cili ndodhet i arratisur jashtë vendit, ka dhënë një intervistë për herë të parë për gazetarin Çim Peka në SYRI TV ku ka lëshuar akuza të forta në drejtim të kryeministrit për procesin hetimor dhe përndjekjen që po i bëhet.
Ndër të tjera ai tha se rasti i tij “është tentuar të bëhet statistikë politiko-juridike. Është ndërtuar një narrativë e tërë që ky është njeriu që duhet ta hajë. Ky të vejë në të s’ëmës. Nuk bëhem unë kokë turku për Ed Ramën. Nuk bëhem për askënd, jo për Ed Ramën. Unë do të mbaj kryqin që më takon në kurriz. Por nuk mbaj kryqin e askujt tjetër dhe unë nuk jam krijesë që mund të kërcënohem, as nga Robespierët, as nga kriminelët, as nga burgu, as nga jashtë burgut. Jam ndonjë trim, jo, njeri normal jam. Kam frikë, sigurisht kam frikë si çdo njeri. Kam frikë nga vdekja, sigurisht, do të vdesim një ditë, sigurisht. Por nuk jam krijesë që mund të kërcënohem. Kjo është e sigurtë,” theksoi Ahmetaj në intervistën e mbrëmshme.