Prej pesë vitesh në postin e zëvendëskryetares dhe më pas, që nga prilli i vitit 2020, në detyrën e kryetares së Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ka ndërtuar një sistem të rafinuar të pazareve dhe përfitimit të ryshfeteve, gjë që dëshmohet nga pasuritë e saj të shumta, të kamufluara përmes kompanive familjare fantazmë. Por duke e ditur se herët a vonë do të bëhej subjekt i hetimit penal, Sako ka zbatuar me mjeshtëri skemën e fshehjes së pasurive sipas manualit të qeveritarëve të korruptuar: me shitje fiktive, borxhe të sajuara dhe zhvendosje pasurish në emër të personave të besuar.
Kjo skemë nisi të zbatohej menjëherë pasi ndaj saj u depozitua kallëzim penal për aferën 17 milionë euro me mbetjet, e ndjekur më pas nga një hetim i hapur në korrik 2022 dhe procedim penal në prill 2023.
Sipas burimeve të brendshme, kryebashkiakja ishte njoftuar paraprakisht për nisjen e hetimeve nga një prokuror i afërt me bashkëshortin e saj në strukturat e SPAK, çka i dha kohë të reagojë me shpejtësi për të zhdukur çdo gjurmë pasurie.
Sipas dokumenteve të siguruara nga “Pamfleti”, vetëm gjatë vitit 2023, Emiriana Sako, përmes bashkëshortit Landi Shahini, ka realizuar shitje të shumta pasurish dhe ka dhënë borxhe të sajuara, me qëllim shmangien e sekuestros.
Disa nga veprimet kryesore të kryera nga Sako për të fshehur pasuritë:
-Më 14 shtator 2022, shet një apartament 131 m² për 151 mijë euro.
-Më 7 mars 2023, shet dy njësi shërbimi me sipërfaqe 23 m² dhe 14.6 m² përkatësisht për 28 mijë dhe 21 mijë euro.
-Në periudhën mars-dhjetor 2023, shet gjithsej 22 pasuri të tjera, me vlerë të deklaruar 1.2 milionë euro.
-Më 25 janar 2023, jep “borxh” 200 mijë euro; më 12 korrik 45 mijë euro; më 15 mars 40 mijë euro; ndërsa gjatë muajve korrik-shtator 2023 deklaron dhënie borxh në vlerën 332 mijë euro.
Për më tepër, janë identifikuar edhe tri shuma të dyshimta: 64 mijë euro, 25 mijë euro dhe 20 mijë euro, të cilat Sako pretendon se rrjedhin nga shitje pasurish, por që nuk përputhen me të dhënat zyrtare dhe qarkullimin real të mjeteve monetare.
Pavarësisht gjithë kësaj lëvizjeje dhe shenjave të qarta të pastrimit të pasurisë përmes borxheve të simuluara, SPAK e thirri kryebashkiaken për një marrje në pyetje më 17 maj 2024 dhe më pas heshti. Prej më shumë se një viti, dosja është e ngrirë. Asnjë akt hetimor i ri nuk është kryer, pavarësisht indicieve të shumta për vepra penale si: shpërdorim detyre, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Ajo që mbetet e paqartë nuk është vetëm heshtja e SPAK, por edhe fakti se përse një figurë e përfshirë në mënyrë kaq flagrante në një rrjet të mirëorganizuar pasuror nuk është as e arrestuar, as e proceduar, dhe as e shkarkuar nga detyra publike që e ka përdorur për t’u pasuruar personalisht.
Kjo apati e drejtësisë nuk është më thjesht çështje paaftësie ose vonese teknike, është pjesë e një skeme të qëndrueshme mbrojtjeje politike dhe institucionale. Heshtja e SPAK, inaktiviteti i BKH dhe mungesa totale e reagimit nga qeveria e Edi Ramës, i japin Emiriana Sakos jo vetëm mburojë, por edhe sinjal të qartë për të vazhduar modelin e grabitjes së institucioneve dhe pasurive publike. Në këtë mënyrë, të gjithë ata që nuk veprojnë, bëhen bashkëpunëtorë me heshtje në një sistem të korruptuar që vijon të gërryejë besimin e publikut ndaj drejtësisë dhe shtetit. Dhe ky nuk është më problem i një bashkie: është problem i një republike.
/Pamfleti/