Në kuadër të operacionit “Fake Star 5”, i nisur ditën e martë për goditjen e kontrabandës dhe falsifikimit të veshjeve të markave të njohura, u arrestua këtë të mërkurë Lindion Haka, 21 vjeç, bashkëadministrator i njërës prej fabrikave ku kryhej procesi i falsifikimit.
Ai është djali i të arrestuarit Luan Haka, ish-kandidat për deputet me Partinë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Po ashtu, është vënë në pranga edhe Ozkan Sulun, shtetas turk 46-vjeçar, i cili dyshohet se ka pasur rol kyç në procesin e stampimit të logos false në veshjet e kontrabanduara.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, të dy të ndaluarit ishin shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve të zhvilluara nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Komisariatet Nr. 3 dhe Nr. 4 të Policisë së Tiranës.
Gjatë kontrolleve të një dite më parë në dy ambiente në fshatin Brrar, janë sekuestruar sasi të konsiderueshme mallrash të kontrabanduara me logo të falsifikuara. Për këtë aktivitet janë arrestuar më herët edhe shtetasit Luan Haka, Ali Bushati, Xhuljo Lecaj dhe Arjan Hida, ndërsa 4 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Materialet procedurale në lidhje me të arrestuarit dhe aktivitetin e dyshuar kriminal janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vijimin e hetimeve.