Biznesmeni i peshkut Gjergj Luca përfshiu sot në tallavanë e tij kreun e SPAK-ut, Altin Dumanin, duke i kërkuar publikisht nga ai që t’a hetojnë, pasi ka 15 vite, që sipas Lucës, veç shpifet ndaj tij. Për prokurorët e SPAK-ut dhe opinionin publik po sjellim edhe një herë në vëmendje dokumente, evidenca, lidhje dhe veprime, të cilat faktojnë ortakërinë e Gjergj Lucës me grupe të trafikimit të kokainës, si dhe përfitimet e tij klinteliste të parave dhe pronave publike. Faktet që do të listojmë në këtë shkrim e veshin SPAK-un me detyrimin ligjor për të nisur një hetim për Gjergj Lucën, për mënyrën se si ka përfituar mijëra m2 prona publike, qindra mijëra euro nga fondet që BE ka akorduar për bujqësinë, si dhe ortakërinë me bosë droge, ortakëri e cila e bën oligarkun e peshkut subjekt të ligjit anti-mafia.
-Me vendim nr. 1525/4, datë 23 maj 2019 të ish drejtoreshës së AZHBR, Frida Krifca, Gjergj Luca ka përfituar përmes firmës “Rozafa Sh.p.k” 400 milionë lekë nga fondet bujqësore të BE për bujqësinë.

-Vetëm gjatë 5 viteve të fundit, Gjergj Luca ka marrë mbi 2 milionë euro nga buxheti i shtetit përmes kompanisë Rozafa; si pagesa nga Dogana e Lezhës për dhënie ambientesh me qira, pagesa nga institucionet publike për dreka e darka te menca që Luca ka ngritur mbi pronën publike etj.

–Me VKM Nr. 873, datë 30.10.2015, Gjergj Luca është përfitues i pasurisë “Objekte të Agjencisë së Rezervave të Shtetit, Labinot, Elbasan”, në administrim të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave të Shtetit, me sipërfaqe të përgjithshme 52613 (pesëdhjetë e dy mijë e gjashtëqind e trembëdhjetë) m2 , nga të cilat sipas genplanit, përkatësisht, sipërfaqe nën objekt 13872.94 (trembëdhjetë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e dy pikë nëntëdhjetë e katër) m2 dhe sipërfaqe funksionale 38740.06 (tridhjetë e tetë mijë e shtatëqind e dyzet pikë zero gjashtë) m2.

-Me VKM Nr. 266, datë 29.03.2017, Gjergj Luca është përfitues i pasurisë “Objekte dhe truall, të Agjencisë së Rezervave Materiale të Shtetit Labinot, Elbasan (pjesa e mbetur) ”, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave të Shtetit, Drejtorisë Rajonale të Rezervave të Shtetit Elbasan, me sipërfaqe të përgjithshme 52 514 (pesëdhjetë e dy mijë e pesëqind e katërmbëdhjetë) m 2 , nga e cila 11 659.63 (njëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e nëntë pikë gjashtëdhjetë e tre) m2 sipërfaqe e objekteve dhe 40 854.37 (dyzet mijë e tetëqind e pesëdhjetë e katër pikë tridhjetë e shtatë) m 2, sipërfaqe funksionale.

-Me VKM nr. 526, datë 25.07.2019, Gjergj Luca është përfitues i pasurisë prona nr.338, me emërtim “Ish-Reparti Ushtarak nr.5012/20”, me vendndodhje në Çekrez, Gramsh, me sipërfaqe të përgjithshme 28 960 m², nga ku sipërfaqe ndërtimore 4185.48 m2 dhe sipërfaqe funksionale 24 774.52 m2, me nr. pasurie 257/1, zk 2167, në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, për një periudhë 20 vjet.

-Me VKM nr. 701, datë 30.10.2019, Gjergj Luca është përfitues i pasurisë Sektori autopark, ish-Parku i Minierës së Hekur-Nikelit, Përrenjas”, me sipërfaqe të përgjithshme 10 287.3 m2, nga ku sipërfaqe ndërtimore 1 090.5 m2 dhe sipërfaqe funksionale 9 196.8 m2, me numër pasurie 4/240, zona kadastrale 2924”, në përgjegjësi administrimi të Ndërmarrjes Industriale nr.1, Tiranë, për një periudhë 20 (njëzet) vjet.

–Me VKM nr.394, datë 09.06.2022, Gjergj Luca është përfitues i pasurive të “Kombinatit të Sheqerit” sh.a., Maliq, të llojit ndërtesë, me nr. 1/250, me sipërfaqe 1 165.5 m2, me nr. 1/231, me sipërfaqe 1 410 m2, me nr. 1/248, me sipërfaqe 290.6 m2, me nr. 1/237, me sipërfaqe 2 025 m2 , në zonën kadastrale 2573, për një periudhë 20-vjeçare (njëzetvjeçare).
–Me VKM Nr. 376, datë 21.06.2023, Gjergj Luca është përfitues i pasurisë pasurisë Prona Nr.338, me emërtimin “Ish-Reparti Ushtarak Nr.5012/20”, me vendodhje në Çekrez, Gramsh, në administrim të ministrisë së mbrojtjes, dhënë me qera me tarifën 1 Euro/Kontrata shoqërisë “Rozafa” Shpk.

Raporti për lidhjet e Gjergj Lucës me trafikun e kokainës
Shoqata Ndërkombëtare e Studimeve Strategjike me qendër në Uashington, në një raport të vitit 2006 për trafikun e drogës nga grupet shqiptare, e konsideron Gjergj Lucën si kokën e disa prej linjave më të fuqishme të trafikut të kokainës me bazë në Shqipëri.

Sipas shoqatës amerikane, Gjergj Luca ka kontrolluar 4 linja të trafikut kombëtar dhe ndërkombëtar të drogës, të aktivizuara që në vitin 1998.
Sipas raportit, Gjergj Luca dhe Jani Morava kontrollonin linjën e trafikut të drogës Maqedoni-Shqipëri-Greqi, si dhe linjën Tiranë-Korçë-Selanik, përmes një biznesi transporti në Pogradec.

Si bashkëpunëtor i tyre cilësohet Roland Ziu, i cili ka sot një biznes skafesh me ish ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi dhe Sokol Topçiun e tenderave korruptivë në shëndetësi.
‘Gjergj Luca është pronar i disa kazinove të mëdha në Tiranë, Shkodër dhe Mal të Zi. Anëtarë të këtij grupi janë Roland Ziu (pronar i “Espanja”), Alfred Ziu dhe Fatos Zjarri transportues’, thuhet në raport.
Sipas raportit, Gjergj Luca kontrollonte edhe dy linja të tjera të trafikut të kokainës me shtetasit Artur Gjini dhe Arjan Andoni. Bëhet fjalë për linjën Mali i Zi-Tiranë-Itali si dhe për linjën Tiranë-Shkodër. Në raportet përmendet emri i Pëllumb Gjokës si bashkëpunëtor i Gjergj Lucës në trafikun e drogës me Malin e Zi.
‘Andoni u arrestua në vitin 2005 në një përpjekje të qartë të Fatos Nanos për të vendosur Gjergj Lucën nën kontrollin e tij të plotë. Pasi u arrit gjithçka, po rregullohej liria e tij. Bashkëpunëtor i ngushtë i këtij grupi është Pëllumb Gjoka, në Shkodër; Gjoka është ndërmjetës me malazezët bashkë me Besim Tulina e Adem Ahmeti’, thuhet në raport.
Fakte / Lidhja e Gjergj Lucës me trafikantin Agron Metvelaj
Në 5 dhjetor 2016, serbo-malazezi Valdan Bojiç me banim në Kroaci, përmes shtetasit Agron Metvelaj nga Lezha, themelon kompaninë ‘DANDO FISH SHENGJINI’, me nipt L68616501I, me objekt në fushën e zënies, ruajtjes, konservimit dhe tregtimit të peshkut.

Adresa e kompanisë rezulton përballë hyrjes së Portit Detar të Shëngjinit.
Tre javë më vonë, në 31 dhjetor 2016, Gjergj Luca, përmes kompanisë Rozafa, blen 51 % të aksioneve të kompanisë ‘DANDO FISH SHENGJINI’, për 19 milionë lekë të vjetra.

Në gusht 2017, Luca blen 100 % aksionet e ‘DANDO FISH SHENGJINI’, për rreth 39 milionë lekë të vjetra në total. Një muaj më vonë kompania ‘DANDO FISH SHENGJINI’, me pronar Gjergj Lucën dhe administrator Agron Metvelaj, pezullohet.
Agron Metvelaj është arrestuar në maj të vitit 2012, me qëllim ekstradimi në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar ardhur nga Interpol Roma “për pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafik të lëndëve narkotike”.

Agron Metvelaj akuzohej edhe për pastrimin e parave të drogës në pasuri të paluajtshme.
Çfarë e lidh Gjergj Lucën me Agron Metvelajn dhe serbo-malazezin Vladan Bojiç?
Për çfarë është përdorur kompania ‘DANDO FISH SHENGJINI’?
Këtyre pyetjeve mund t’u përgjigjet vetëm SPAK-u.
Ndërkaq, në vitet 2015-2016, Gjergj Luca ka hapur edhe dy kompani të tjera, gjithnjë për zënie peshku, me shtetas të huaj, duke i pezulluar disa muaj më pas.



Ngrihen dyshime të forta se pse Gjergj Luca, duke u kamufluar gjithnjë nga njerëzit e afërt, ka hapur dhe blerë kompani, ka hedhur para dhe i ka mbyllur disa muaj më pas.
Lidhja me Pëllumb Gjokën dhe Nikulajn
Gjergj Luca ka qenë ortak me Pëllumb Gjokën në biznesin e kazinove.

Miku i Pëllumb Gjokës, Ardian Nikulaj, i vrarë në prill të këtij viti në biznesin e tij, ka qenë truproja i Gjergj Lucës.
Në vijim, kur Luca dhe Pëllumb Gjoka kishin mosmarrëveshje, Nikulaj u pozicionua në krah të Pëllumb Gjokës, sot në burg si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Restorant Rozafa i Gjergj Lucës tek 9-katëshet mbi Ushtarin e Panjur kaloi në pronësi të Pëllumb Gjokës, i cili e ka kthyer në hotel me emerin ‘Loti’.
Nuk dihet se në çfarë forme Pëllumb Gjoka ia ka marrë biznesin Gjergj Lucës, nëse Gjoka e ka kërcënuar Lucën, çfarë i detyrohej Luca dhe pse u prishën në pazare.

Ndërkaq, nëse i referohemi raportit të Shoqatës Ndërkombëtare e Studimeve Strategjike me qendër në Uashington, Gjergj Luca dhe Pëllumb Gjoka kanë kontrolluar linjën e trafikut të kokainës me Malin e Zi, ndërsa boxhozin e kanë përdorur si kamuflim.
Kush është Roland Ziu?
Në tetor të vitit 2019, Pattia Demokratike akuzoi publikisht Roland Ziun se ishte një trafikant ndërkombëtar droge, cili përmes një kompanie kishte fituar pa garë tenderin për portin tursistik të jahteve pranë Kepit të Rodonit.

“Kepin e Rodonit ia ka dhënë për 35 vjet Roland Ziut, i njohur nga mediat si trafikant ndërkombëtar droge. Prej vitesh ky trafikant është lidhur ngushtë me pushtetin e Edi Ramës”, deklaroi PD-ja.
Nuk dihet se ku e bazonte PD-ja akuzën e saj, por Roland Ziu konsiderohet në raportin e shoqatës amerikane si pjesë e linjave të kokainës së Gjergj Lucës.
Jo vetëm kaq. Por, në vitin 2020, Ministria e Bujqësisë, e drejtuar nga Bledi Çuçi, shpalli në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik, fitues të një tenderi në dukje fiktiv, me vlerë rreth 2.5 milionë euro, dy kompani, njëra prej të cilave ishte Praslin Investment.
Pronari i Praslin Investment është pikërisht Roland Ziu, i akuzuar nga Partia Demokratik si trafikant droge.
Në total, Ziu ka marrë rreth 5 milionë euro tendera nga Çuçi si dhe dhjetëra hektarë toka bujqësore falas.
Ish ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, është anëtar bordi i një shoqate “Albanian Sailing Club”, që merret me sportet ujore me skafe.
Shoqata është krijuar pikërisht nga Roland Ziu, ndërsa anëtar është edhe Sokol Topçiu, i fundit i arrestuar për kontrabandë ilaçesh dhe i lakuar për tendera korruptivë.

Në vitin 2007, Roland Ziu është vënë nën hetim nga Prokuroria e Kavajës, pasi është bllokuar një makinë, që pas kontrolleve rezultoi se ishte e vjedhur. Ziu e mbylli me lehtësi këtë dosje për trafikim të mjeteve motorike.
Treshja Luca-Gjoka-Ziu investuan paratë në biznese
Krerët e grupit të linjave të kokakinës sioas shoqatët amerikane, Gjergj Luca, Pëllumb Gjoka e Roland Ziu, me të ardhurat nga veprimtaria e dyshuar kriminale, kanë krijuar biznese peshkimi, kazino, restorante, shitje-makinash, aktivitete ndërtimi pallatesh e hoteleri në Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Shkodër.

Madje, Pëllumb Gjoka ishte shpallur nga qeveria investitor strategjik, edhe pse me ngarkesa të shumta kriminale dhe me dosje grabitje pronash në Velipojë.
(Me Vendim nr. 19/6, datë 15.7.2021 të firmosur nga kryeministri Edi Rama, trafikantit Pëllumb Gjoka, nëpërmjet kompanisë së tij të bixhozit “Imperial Group” në ortakëri me Gjergj Lucën, iu dha statusi investitor strategjik për resortin “Silver Sand” me sipërfaqe 13 hektarë pyll tokë shteti në Velipojë, por iu dha dhe leja për kazino në një nga bodrumet e restorant “Rozafa”).
Pra, që të tre kanë përfituar koncensione, prona dhe para publike.
Që të tre, përmes fuqisë së parave krijuan lidhje me qarqe politike dhe sidomos të pushtetit të Edi Ramës, ndërsa i kanë shpëtuar deri më sot zbatimit të ligjit anti-mafia.
Si u arrestuan dy ortakë të Gjergj Lucës për trafik droge
Ky personazh në foto është Qemal Beu, kryetar i Organizatës së Menaxhim Peshkimit në Durrës, me nipt M01817501A, themeluar në 8 qershor 2020, sot një shoqëri në likuidim.

Organiza ka 10 ortakë me nga 10 % të aksioneve, disa nga të cilët trafikantë të famshëm droge.
Aksionetët janë: Kryetari Qemal Beu, biznesmeni i peshkut Gjergj Luca, Dorian Beu, Syrjan Tola, Klodjan Kapiti, Helidon Rruga, Nazmi Kokomani dhe Alban Bala.

Në 20 tetor 2023, policia italiane njoftoi se kishte mundur të arrestonte 3 trafikantë shqiptarë droge në Itali, të cilët ishin pjesë e një bande të trafikut të kokainës në Milano, grup që është goditur nga autoritetet italiane që në vitin 2017. Njoftohej se në Shqipëri treshes i janë sekustruar 3 milionë euro pasuri, përfshirë edhe një anije peshkimi.

Ata janë Emirjan Beu, Syrjan Tola dhe Dorian Beu.

Emirjan Beun, një emër i njohur i korrupsionit dhe trafiqeve, është i biri i Qemal Beut, kryetar i Organizatës së Menaxhim Peshkimit në Durrës.
Dorian Beu dhe Syrjan Tola janë anëtarë dhe aksionerë të Organizatës së Menaxhim Peshkimit në Durrës, që drejtohet nga babai i trafikantit Emirjan Beu, Qemal Beu, ku është anëtar dhe aksioner edhe Gjergj Luca, i skeduar në raporte sekrete policore si një trafikant i hershëm droge.

Luca është lakuar si trafikant droge në bashkëpunim me Pëllumb Gjokën, Roland Ziun, Jani Moravën, Artur Gjinin, Arjan Andonin dhe Agron Metvelajn.
Në dokumentet e dorëzuara në QKR, Gjergj Luca ka shënuar saktë vetëm emrin dhe datën e lindjes (30.08.1964), ndërsa ka gënjyer për vendin e lindjes dhe të banimit, për të fshehur gjurmët.


Madje edhe tek data e lindjes është futur një ‘zero’ si pa dashje.
Ndërkaq, lidhja e 3 trafikantëve Emirjan Beu, Syrjan Tola dhe Dorian Beu në biznes me Gjergj Lucën u fsheh nga mediat e ‘pavarura’, të cilat duket se jo rastësisht paguhen çdo muaj nga Luca.
Mediat nuk mund t’i raportojnë këto fakte, pasi pagesat ndërpriten dhe Luca i klasifikon si ‘mediat e tallavasë’.
Sipas tij, media profesionale dhe të ndershme janë vetëm ato që fshehin të vërtetën dhe i bëjnë fresk atij.
Në këtë kuadër Luca ka ndërmarrë edhe një nismë për të rregulluar mediat, në bashkëpunim me një ish zyrtar të korruptuar të PD (Vesho mallisti), të cilit i jep 2.4 milionë lekë në muaj. /prapaskena