Zbardhen detaje të reja nga atentati i ndodhur mbrëmë në Tiranë, ku i vdekur mbeti biznesmeni Bujar Nasufi.
Policia e Tiranës njofton se sot ka gjetur motorin e djegur të autorit të dyshuar për vrasjen e 56-vjeçarit.
“Në lidhje më ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme ku u vra me armë zjarri shtetasi B.N, ju informojmë se: Në vendin e quajtur “Kodrat e Sharrës” gjatë krehjes së zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur një motomjet të djegur, i cili dyshohet se i përket autorit.
Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore përkatëse me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Grupi hetimor po kryen veprime intensive për sekuestrimin e çdo prove që do ti shërbejë hetimit për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njofton policia.
Kujtojme se Nasufi u qëllua për vdekje me 2 plumba në zonën e “Pallatit me Shigjeta” brenda në automjetin e tij, teksa ndodhej pak metra larg banesës.