Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Ravena të Italisë, teksa trupi i një 38-vjeçari shqiptar që punonte në fermë, u gjet i pajetë në mes të arës.
Viktimë e aksidentit në punë ka mbetur Astrit Elezi, i cili ishte banues prej kohësh në Castel Bolognese. Ai po punonte në një arë, pjesë e një ferme bujqësore mes Solarolo dhe Castel Bolognese, ku dyshohet se pësoi aksidentin fatal.
Rreth orës 18:00 të së martës, familjarët të shqetësuar sepse nuk kishin kontaktuar me të, shkuan ta kërkonin në vendin e punës. Por fatkeqësisht, e gjetën të vdekur, raportoi media italiane. Dinamika e aksidentit mbetet e paqartë dhe mbetet për t’u sqaruar pas autopsisë nga ekspertët mjeko-ligjorë. Sipas dyshimeve paraprake të hetuesve, shqiptari mund të jetë shtypur për vdekje nga një traktor. Ai mendohet se ka marrë goditjen vdekjeprurëse nga piruni i mjetit bujqësor.
Ndihma e shpejtë 118 mbërriti në vendin e ngjarjes, por për fat të keq mjekët nuk mundën të bënin asgjë për ta shpëtuar, vdekja e të riut u konstatua në vend.
“Menjëherë pas tragjedisë, edhe prokurori që koordinon hetimin, Stefano Stargiotti, urdhëroi sekuestrimin e automjetit në të cilin Elezi u gjet i pajetë dhe është hapur një çështje për vrasje të paqëllimshme, kundër personave të panjohur, një procedurë për të kryer kontrollet e nevojshme”, informuan mediat italiane.
Funerali i Astrit Elezit, nuk është planifikuar ende.
Rajoni i Emilia Romagna-s, nëpërmjet Presidentit Michele de Pascale dhe këshilltarit rajonal për politikat e punës Giovanni Paglia, iu bashkua ngushëllimeve të shumë punonjësve të bujqësisë, sindikatave dhe qytetarëve të Castel Bolognese, të shprehura familjes së shqiptarit.
“Dëshirojmë të shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta, tonat dhe të të gjithë komunitetit rajonal, familjes së punëtorit të bujqësisë që vdiq në një aksident tragjik në punë. Fatkeqësisht, ky është rasti i fundit në një seri ngjarjesh të pafat që po prekin edhe provincën e Ravenës në vitin 2025 dhe që nuk mund të mbeten pa përgjigje. Shëndeti dhe siguria në vendin e punës duhet të jenë në qendër të vëmendjes së të gjitha institucioneve, forcave politike dhe shoqërore, pa dallim”, thanë ata.
Gjithashtu bënë thirrje për kushte sigurie më të forta në punë dhe trajtimin e punonjësve.
Kurse presidentja e Provincës, Valentina Palli, gjithashtu iu bashkua ngushëllimeve, bashkë me përfaqësuesit e tjerë vendorë.
Mediat ngritën shqetësimin se në provincën e Ravenës në vitin 2024, pati 7,017 aksidente në punë, me një rritje prej 2.1% krahasuar me të dhënat e vitit 2023. Përveç kësaj, në tre muajt e parë të vitit 2025, aksidentet u rritën me 3.9% të tjera.