Individët dhe bizneset kanë kursyer më pak në muajt e parë të 2025-s, në raport me vitet e mëparshme, ku tendenca ka qenë më e dukshme për monedhën vendase.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë bënë të ditur se në prill, stoku i kursimeve në lekë në fund të muajit prill ishte 640 miliardë lekë, me një rënie prej 0.75%, ose rreth 5 miliardë lekë në krahasim me muajin e mëparshëm.
Ky është muaji i dytë kur tendenca e depozitave në monedhën vendase është në rënie, ndryshe nga janari dhe viti 2024, kur tendenca ishte me rritje të fortë.
Në ecurinë e prillit ka ndikuar rënie e depozitave të korporatave financiare, që janë tkurrur me 6.1 miliardë lekë, ose 6.3$ më pak. Kursimet e rezidentëve janë rritur shumë lehtë me 0.3%, duke mos arritur të amortizojnë tkurrjen e depozitave të bizneseve.
Me bazë vjetore (prill 2025/prill 2024), depozitat në monedhën vendase janë rritur me 9.27%, ose gati 60 miliardë lekë më shumë.
Euro është rikthyer në prill si monedha më e preferuar për të kursyer. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në monedhën e përbashkët arriti në 8.056 miliardë lekë në fund të muajt prill, me një rritje prej 45 milionë eurosh, ose 0.6% më shumë se muaji i mëparshëm.
Rritja është ndikuar si nga korporatat private e publike, ashtu dhe individët. Ky përmirësim erdhi pas një rënieje prej 80 milionë euro të depozitave në valutë.
Me bazë vjetore (prill 2025/prill 2024), depozitat në monedhën e përbashkët janë rritur me 7%, ose 566 milionë euro më shumë.
Banka e Shqipërisë e raporton totalin e kursimeve (lekë plus valutë) të konvertuara në lekë. Në fund të prillit, stoku total i depozitave ishte 1.37 trilionë lekë, me një rënie prej 0.35% në krahasim me muajin e mëparshëm, ose 4.8 miliardë lekë më pak, e ndikuar nga rënie e kursimeve në lekë.
Stabilizimi i euros ka ulur ndikimin që rënia e kësaj të fundit dha në tkurrjen e kursimeve në valutë në momentin që ato raportohen në euro./ Monitor.al