Një qytetar ka denoncuar mungesën e reagimit nga Bashkia Sarandë për verifikimin e një personi, sipas tij, zyrtar i lartë i ASHK (Agjencia Shtetërore e Kadastrës) Tiranë, lidhur me dyshimet për ndërtime pa leje dhe zaptim të hapësirave publike.
Qytetari, i cili ka kontaktuar bashkinë, denoncon se zyrtari i lartë i ASHK Tiranë ka ndërtuar ballkone dhe ka zaptuar një lulishte pa leje në zonën ku ai banon.
Sipas denoncimit, ai është drejtuar disa herë Bashkisë Sarandë, por nuk ka marrë asnjë përgjigje konkrete.
Madje, kur ai është paraqitur personalisht në bashki, tregon se i është dhënë një shkresë ku thuhet se bashkia nuk ka dhënë asnjëherë tokë me qera personit në fjalë dhe është udhëzuar të drejtohet te Policia Bashkiake. Edhe Policia Bashkiake, pasi ka premtuar se do të shkonte në orën 19:00, nuk ka reaguar më tej, duke mos iu përgjigjur telefonatave, sipas denoncimit.
Qytetari denoncoi për “Maska.al” se zyrtari i lartë i ASHK Tiranë ka korruptuar të gjithë bashkinë e Sarandës. Për këtë arsye, ai i është drejtuar me një kërkesë zyrtare për informacion Bashkisë Sarandë, duke pyetur nëse një lulishte poshtë rrugës “Butrinti” ishte dhënë në administrim ndonjë subjekti.
Në përgjigjen zyrtare të datës 30 Maj 2025, me numër protokolli 839, Bashkia Sarandë, përmes Drejtorisë së Shërbimeve Publike, ka informuar qytetarin se “nga Drejtoria e Shërbimeve Publike nuk është trajtuar asnjë kërkesë nga subjekt ose individ dhe nuk është dhënë leje për zënie të hapësirës publike” për lulishten në fjalë. Përgjigjja mban nënshkrimin e Zv/Kryetarit, Elton Dauti.
Ky denoncim ngre pikëpyetje serioze mbi veprimet e një zyrtari të lartë të një institucioni kyç si ASHK Tiranë, si dhe mbi reagimin e Bashkisë Sarandë ndaj shqetësimeve të qytetarëve për respektimin e ligjit dhe përdorimin e hapësirave publike.