Nëntoka shqiptare është mjaft e pasur, duke nisur nga burimet ujore, krom, bakër, hekurnikel, naftë, gaz apo edhe pasuri të tjera tepër të rralla, nga ato që kërkohen nga e gjithë bota. Shqipëria ka pasur një industri nxjerrëse dhe përpunimi shtetërore, duke u shtrirë në gjithë vendin. Ndërkohë, pas viteve ’90 këto pasuri ia dhanë privatëve, të cilët përveçse i kanë zhvatur, kanë sjellë shumë drama me dhjetëra viktima në radhët e punëtorëve.
Punëtorët janë keqtrajtuar, me punë orar pa orare, ndërkohë që edhe banorët që jetonin afër këtyre minierave, kanë vuajtur dhe janë kërcënuar. Por, në gjithë këtë situatë, të vetmit fitimtarë nga pasuria shtetërore e patjetërsueshme, janë firmat, pronarët, drejtorët apo edhe përgjegjësit.
Në këto radhë, VoxNews do të “udhëtojë” në Uzinën e Ferrokromit në Burrel, një pasuri e dhënë me koncesion, teksa firmat janë ndërruar disa herë. Aktualisht, Uzina kontrollohet nga “Albchrome”, ku kjo e fundit zotërohet nga “Albchrome Holding”.
Për të shkuar te pronarët fundor të Ferrokromit të Burrelit apo Minierës së Kromit në Bulqizë, duke të shfletosh dhjetëra dokumente. Pronar del kompania “Yildirim Albania”, më pas “Yildirim International Investm” dhe në fund me “Yildirim International Mining”. Në vitin 2022, kjo firmë kontrollon kromin në Shqipëri, kryesisht Bulqizën, Klosin, Elbasanin apo edhe Tiranën. Pronar të saj janë Ali Riza Yildirim dhe Yuksel Yildirim.
Në pamundësi për t’a kontrolluar, apo për të bërë zap punëtorët në Bulqizë, Klos, Burrel, Elbasan dhe Tiranë, turqit kanë vendosur edhe “xhandarët” e tyre. Në këto radhë do të ndalemi te drejtori i Ferrokromit në Burrel, z. Ervin Isaj.
Në redaksinë e VoxNews kanë mbërritur dhjetëra ankesa nga punëtorë dhe banorë të qytetit verior për arrogancën e theksuar të drejtorit Isaj. Madje, ai shantazhon dhe kërcënon çdokënd, teksa deri më tani ia ka hedhur paq. Ai nuk u procedua çuditërisht pas shembjes së një masivi dheu në Klos, shembje e cila i mori jetën një punëtori.
Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, drejtori Isaj është dënuar për një ngjarje që ka ndodhur në datën 16 shkurt 2022, ku ai rezulton se ka keqtrajtuar një punëtor. Ai ka qëlluar 62-vjeçarin Hamit Metra.
“Drejtori më ka futur duart në fyt. Më ka sharë dhe kërcënuar duke më pohuar se ‘këtu komandoj unë’. Shkova të mjeko-ligjori i cili më ka dhënë 9 ditë raport. I jam drejtuar Gjykatës së Matit, ku kam fituar dhe më pas i jam drejtuar Apelit,”- thotë ish-punëtori.
Gjykata e Matit e ka dënuar me vetëm gjobë, për shkak të pendesës së “xhandarit” dhe dëshirën për të normalizuar marrëdhënien me viktimën. “Ai i kërkoi trupit gjykues dhe faktin që ai shprehu gatishmërinë e tij që këtë falje ta bënte edhe përpara kolektivit apo familjarëve të viktimës dhe deri dhe në median lokale me qëllim pajtimin midis palëve, por që nuk u pranua nga viktima akuzuese” thuhet në vendim. Drejtori u dënua me akuzën “dëmtime të tjera me dashje”.
Sipas punëtorëve, përmetari Isaj e ka kthyer Uzinën e Ferrokromit në Burrel si pronë të vetë. Ai ka marrë kompetencat nga turqit, të cilët duan vetëm paratë dhe shfrytëzimin barbar të pasurisë shqiptare. Sipas dokumenteve, Isaj ka punuar në vepra me para të madhe, si Projekti i Hidrocentralit të Banjës, Hidrocentralit Langarica, Hidrocentrali Prell si dhe shef në një kompani çimentoje në Fushë Krujë. Ai shkoi fillimisht në “Albchrome” si menaxher dhe më pas u promovua si drejtor i Uzinës.
VoxNews ka mësuar nga punëtorët e Ferrokromit në Burrel se drejtori Ervin Isaj, ashtu si edhe drejtorët e tjerë të Albchromë, vijojnë të pasurohen personalisht. Ka informacione se ata, duke përfshirë edhe Isajn, kanë blerë pasuri të paluajtshme në Tiranë. Në fillim të punës ata kanë qenë me qira në Tiranë, ndërkohë më vonë morën kredi. Tashmë kanë shlyer kredinë e banesës së parë, kanë blerë të dytën dhe janë në tratativa për vila apo prona në bregdet.
Një lëvizje galopante e drejtorucëve të kromit, ndërkohë që vetë Ervin Isaj ka në pronësi një kompani private. Firma është krijuar vite më parë, ndërkohë që a dyshime se është krijuar për një skemë pastrimi të parave. Gjithsesi, ajo që duket në letra apo edhe në terren, është se drejtorët e turqve sillen si “xhandarë” në pronat e shtetit shqiptar, duke i keqmenaxhuar vetëm për llogari personale. Madje, në dëm të punëtorëve dhe interesave të vetë shtetit, i cili i ka dhënë me koncesion këto pasuri./VoxNews