Dy drejtorët me shtetësi hungareze që drejtojnë One Albania dhe Vodafone Albania po na zhvasin çdo sekondë nëpër celularët tanë, me bekimin e kryetarit të Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba.
Ky i fundit ka marrë përsipër të mbulojë, jo vetëm mungesën e konkurrencës, por edhe vjedhjen e hapur që bëjnë kompanitë duke mos zbatuar vendimin e AKEP, që i detyron dy kompanitë të ulin çmimet me 32%.
Ku është rezultati i përfundimit të hetimit paraprak të AK?
Debar Biba po fsheh përfundimet dhe po e zvarrit publikimin e raportit për hetimin paraprak të Vodafone Albania dhe One Albania. Këtë dyshim e bazojmë në faktin se në datën 29 prill 2025 ishte afati i fundit i dorëzimit të këtij raporti në Komisionin e Autoritetit të konkurrencës.
Ky është dokumenti zyrtar që shënon hapjen e hetimit paraprak mbi kompaninë One Albania dhe Vodafone Albania.
Data e protokolluar e vendimit të komisionit të konkurrencës është 29 janar 2025. Ligji e detyron AK të përmbyllë këtë fazë të hetimit brenda 3 muajve dhe të dalë me vendim për vazhdim të hetimeve apo mbylljen e tyre.
Në dokumentin e mësipërm të firmosur nga kryetari Denar Biba, tregohet se raporti hetimor duhet dorëzuar jo më vonë se 3 muaj nga kjo datë. Pra në 29 prill 2025, Biba duhet të njoftonte zyrtarisht nëse po na vjedhin dy kompanitë përmes duopolit ose gjithçka është në rregull.
Deri tani nuk ka asnjë njoftim publik mbi këtë hetim. Nga burime të brendshme të AK mësojmë se raporti hetimor është dorëzuar në Sekretarinë e Autoritetit të Konkurrencës, qysh para dy muajsh, por nuk është vënë në rendin e ditës. Pse e fsheh Biba këtë raport? A është e koordinuar kjo zvarritje me nevojat e dy kompanive për të menaxhuar dhe mbuluar zhvatjen që po i bëhet aktualisht konsumatorit shqiptar?
Biba i heton ankesat e qytetarëve pas 3 vjetëve?!
Këto hetime përshijnë, sipas vendimit, periudhën nga 1 janar 2022 deri në 31 dhjetor 2024. Pra, AK e Bibës “heton” në vitin 2022, qytetarët ankohen tani se paketat e të dy kompanive janë si dy pika uji të ngjashme, se të dy subjektet mashtrojnë me “internet pa limit’, me shpejtësi 5G, nuk i ulin çmimet pavarësisht vendimit të AKEP që i nxjerr kostot e tyre 32% më të ulëta. Po ku ka qenë AK këto 3 vjet, që u zgjua tani?
Ne kemi dyshime, se ky hetim i Bibës është kurdisur për të shpëtuar One Albania dhe Vodafone Albania nga përgjegjësia për moszbatimin e vendimeve të AKEP.
“Nisur nga disa ankesa të paraqitura pranë Autoritetit të Konkurrencës mbi rritjen e çmimit të paketave me parapagesë nga ndërmarrja Vodafone Albania SHA, si dhe të ankesave në vijim gjatë viti 2024 për ndërmarrjen One Albania SHA, Autoriteti i Konkurrencës realizoi një monitorim në këtë treg, i cili konsistoi në vlerësimin e sjelljes së ndërmarrjes Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA”, kjo është pikënisja e hetimit sipas AK.
Në fakt, diku tjetër fle lepuri. Një institucion tjetër, AKEP i ka kapur dy kompanitë me presh në dorë. Kjo pasqyrohet në raportin e AKEP të vitit 2023, të cilit i referohet edhe vendimi AK për nisjen e hetimit.
Së pari, AKEP konstaton shtrenjtimin e paketave të dy kompanive celulare në bazë të “inflacionit”. Çdo vit, në 1 prill çmimi i paketave indeksohet sipas rritjes së inflacionit.
Vetë One Albania e ka informuar Denar Bibën më 13 mars 2024 me shkresën me protokoll 211/1, se ka përditësuar kushtet dhe termat e kontratave të telefonisë fikse dhe celulare, duke përcaktuar një klauzolë mbi indeksimin e çmimit të pajtimtarëve, sipas indeksit të çmimeve të Konsumit, bazuar tek INSTAT.
Ky rregull i lë qytetarët në pasiguri juridike dhe nën arbitraritetin e dy kompanive. Kjo nuk ka nevojë për hetim se e ka konstatuar AKEP, që është institucion zyrtar.
AKEP kërkon uljen e çmimeve, Biba bën avokatin e Duopolit
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka vendosur uljen e tarifave të terminimit në rrjetet celulare, duke filluar nga muaji tetor 2024.
Tarifat e terminimit janë tarifat që operatorët i paguajnë njëri-tjetrit për thirrjet që kryhen drejt rrjeteve respektive dhe rregullimi i këtyre tarifave është instrumenti kryesor i rregullimit të tregjeve të komunikimeve elektronike nga autoritetet përkatëse.
Mbështetur në analizën e tregut, AKEP ka shpallur përsëri si Operatorë me Fuqi të Ndjeshme (OFNT) në tregun përkatës me shumicë të terminimit të thirrjeve kombëtare për operatorët celularë One Albania dhe Vodafone Albania. Pra, AKEP tregon “ujkun”, Denari i AK-së thotë “ja gjurma”.
AKEP ka vendosur që tarifa maksimale e terminimit të thirrjeve kombëtare në rrjetet celulare të Vodafone Albania dhe One Albania të ulet nga niveli aktual prej 1.1 lekë/minutë në 1.02 lekë/minutë në 1 tetor 2024, në 0.89 lekë/minutë në 1 prill 2025 dhe përfundimisht në 0.75 lekë/minutë në 1 tetor 2025.
Megjithatë, afatet e aplikimit të uljeve të përshkallëzuara të tarifave të terminimit janë shtyrë krahasuar me propozimet që ishin paraqitur në analizën e tregut, në nëntor të vitit të kaluar. Sipas propozimeve fillestare, uljet e tarifave duhet të zbatoheshin përkatësisht në 1 mars 2024, 1 shtator 2024 dhe përfundimisht në 0.75 lekë/minutë në 1 mars 2025.
Në komentet e tyre gjatë fazës së konsultimit publik, të dy operatorët, Vodafone Albania dhe One Albania kishin kërkuar një shtrirje më të gjatë në kohë të uljes në kosto të tarifave të terminimit. Vodafone Albania kishte propozuar që ulja e tarifave të niste në prill 2024 dhe të arrinte gradualisht nivelin prej 0.75 lekë për minutë në prill 2027.
Ndërsa One Albania propozonte që ulja të fillonte në janar 2025 dhe të shtrihej në kohë deri në janar 2027.
Për t’i çuar tarifat në kosto, që është edhe detyra e AKEP, tarifat e terminimit të thirrjeve duhet të ulen me rreth 32%.
Orientimi në kosto i tarifave me shumicë vlerësohet si mënyra më e mirë për të mundësuar një konkurrencë të drejtë dhe të ndershme mes operatorëve në tregun me pakicë.
Më parë, për vendosjen e tarifave të terminimit të thirrjeve kombëtare AKEP është mbështetur në metodën benchmark të mesatarizimit të tarifave të aplikuara në vendet e BEREC (Trupa e Rregullatorëve Europianë të Komunikimeve Elektronike). Megjithëse dokumenti me kostot e matura u miratua qysh në vitin 2021, ulja e përshkallëzuar e tarifave në kosto ngeli pezull për afërsisht tre vjet.
Deri tani nuk ka asnjë shenjë të reflektimit të uljes së çmimeve tek konsumatori. Në këtë lojë ka hyrë tashmë Denar Biba që kërkon të sfumojë dhe relativizojë me anë të “hetimit” analizat e tregut që ka bërë AKEP.
Biba është pro duopolit të këtyre kompanive dhe këtë e ka deklaruar publikisht më 29 maj 2023. Kreu i konkurrencës Denar Biba deklaroi se aktualisht tregu i telefonisë celulare është një duopol ku operojnë vetëm dy kompani celulare.
“Ka tregje që janë qartësisht oligopole. Mirë ose keq legjislacioni ynë nuk e ndalon këtë. Tregu i telefonisë celulare është aktualisht një duopol. Mbretëria e Bashkuar ka vetëm tre operatorë celularë dhe ka 64 milion banorë. Kur ata kaluan nga 4 në 3, kompanitë e interesuara e çuan çështjen në Gjykatën e Luksenburgut e cila tha: Ju nuk mund të ndaloni të drejtën për të bërë biznes për sa kohë që ata marrin përsipër të ruajnë disa elementë të konkurrencës,” tha ai.
Pra ky hetim që ka nisur AK, është sa për sy e faqe, sepse rezultati “Biba” do të thuret siç e duan dy drejtorët hungarezë.
One dhe Vofafone po zhvasin klientët
Gjatë ditëve të fundit klientët kanë mbushur me ankesa kompaninë telefonike se po i vjedhin duke mos u dhënë shërbimin e domosdoshëm të internetit.
Dhjetëra abonentë të ONE kanë denoncuar rrjetet sociale ndërprerjen e internetit në telefon prej më shumë se një muaji, edhe pse paguajnë për plane pa limit si Ultra150.
Ata thonë se shërbimi ndaj klientit nuk jep zgjidhje dhe i kalon ankesat tek një “departament” që raporton se gjithçka është në rregull.
E njëjta gjë raportohet se po ndodh edhe me klientët me numrin me kontratë tek kjo kompani, të cilët paguajnë një tarifë fikse prej 18 mijë lekësh në muaj dhe interneti në telefon nuk i funksionon.
Ndërkaq, qysh nga fundi i vitit të kaluar, One dhe Vodafone pretendojnë se kanë futur rrjetin 5G në Shqipëri. Gjithçka do ishte krejt normale sikur rrjeti i telefonisë celulare të ofronte shërbimet dhe tarifat me standardet që pretendojnë. Por qytetarët janë shumicën e kohës të pakënaqur me paketat që shkurtohen në kohë dhe sasi interneti. Dhe të gjitha i shpjegon situata që kompania Vodafon dhe One janë duopol. Ato bien dakord për tarifat duke shmangur konkurrencën e duke zhvatur konsumatorin që nuk ka mundësi tjetër për të zgjedhur.
Me vendimet nr. 29 dhe nr. 30, të datës 25 nëntor 2024, Këshilli Drejtues i AKEP-it miratoi dhënien e autorizimeve individuale për përdorimin e frekuencave në brezin 3,5 GHz për sipërmarrësit e komunikimeve elektronike ONE Albania sh.a dhe Vodafone Albania sh.a.
Sipërmarrësi ONE Albania sh.a merr në përdorim 120 MHz në brezin e frekuencave 3420-3540 MHz (spektër i paçiftuar), ndërsa Vodafone Albania sh.a merr në përdorim po 120 MHz në brezin 3680-3800 MHz, spektër i paçiftuar. Kjo u bë me qëllim të aplikimit të teknologjisë 5G.
Në vend që të kemi internet 5G nëpër telefona, dy kompanitë na japin gjithnjë e më shumë sasi të limituara brenda të njëjtit çmim të paketave.
Kush janë 2 hungarezët që po i stresojnë pajtimtarët?
Kur nuk kemi internet nga kompania One Albania, përgjigja e ankesës na vjen nga Rusia. Kjo skemë mashtrimi menaxhohet nga kompani satelitë me lidhje direkte në Rusi, si “Limited Company IT Prospekt” dhe platforma “Chat2Desk”, që operon nga Shën Petersburgu, në adresën: 9 ulica Raynochinnaya, office 306, Saint Petersburg, Russian Federation. One Albania, ndërsa reklamon shërbim cilësor, nuk zbaton detyrimet kontraktuale, por përdor klauzola të fshehta, mashtrime teknike dhe ndërpret shërbimet sipas dëshirës, duke zbatuar një model mafioz të zhvatjes.
Pas ONE Albania qëndron një zinxhir kompanish dhe individësh të përfshirë në pastrim parash, afera korruptive dhe lidhje me krimin. Në krye të këtij rrjeti është hungarezi Gellért Zoltán Jászai, ortak i ngushtë i kryeministrit Viktor Orbán dhe prestnomë i oligarkëve të Putinit. Jászai është i skeduar për afera financiare në të paktën 10 shtete, përfshirë Shqipërinë. Fillimisht, kompania Telekom Albania (ish-AMC), ishte në pronësi të grupit greko-gjerman OTE, por në vitin 2019 u shkëmbye për vetëm 50 milionë euro me kompaninë Albania Telecom Invest AD, në pronësi të bullgarit Spas Roussev dhe shqiptaro-bullgarit Elvin Guri. Në atë kohë, Telekom kishte fitime të pashpërndara prej 352 milionë eurosh. Pra, u ble për një fraksion të vlerës reale.
Në vitin 2003, pas një tentative për vrasjen e Todorovit, në makinën e tij u gjet një foto që e lidhte Roussevin me figurat më të rrezikshme të mafies bullgare. Këta emra, që luheshin në jahtet e luksit dhe korridoret e pushtetit të Sofjes, sot vendosin tarifat e internetit dhe fatin e të dhënave të shqiptarëve.
Në mars të vitit 2022, kompania hungareze 4iG, e kontrolluar nga Gellért Zoltán Jászai, mori zyrtarisht kontrollin e One Albania, duke blerë 100% të aksioneve të Albania Telecom Invest AD. 4iG është tashmë krahu teknologjik i interesave hungarezo-ruse në Ballkan dhe në Shqipëri, një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë kibernetike kombëtare dhe integritetin e të dhënave të qytetarëve.
Tamás Tábori, Zëvendës CEO i Grupit 4iG për Strategjinë e Telekomunikacionit, është drejtor ekzekutiv interim i One Albania, qysh nga 20 qershor 2025. Ish-CEO i kompanisë Brano Djurovic do të vazhdojë karrierën e tij në degën e 4iG-së në Maqedoninë e Veriut, ku do të mbajë detyrën e drejtorit ekzekutiv.
Tábori iu bashkua Grupit 4iG në vitin 2022 si CEO i kompanisë së telekomunikacionit DIGI dhe në shkurt të 2023 ai u pozicionua si zëvendës CEO i One Hungary (në atë kohë i njohur si Vodafone Hungary), ku mbikëqyri integrimin e njësive të biznesit për klientët e të dy kompanive. Në korrik 2024, ai u emërua zëvendës drejtor ekzekutiv përgjegjës për strategjinë e telekomunikacionit në 4iG. Më parë, ai ka punuar në Vodafone Hungary.
Nga ana tjetër, qysh nga 6 nëntori i vitit 2023, në krye të Vodafone Albania është vendosur hungarezi Balazs Revesz. Në vitin 2015, Revesz filloi punë në Vodafone Hungary, si Drejtor i Marketingut, më vonë Drejtor i Njësisë së Biznesit të Konsumatorit dhe Zëvendësdrejtor Ekzekutiv.
Koincidencë në biznes nuk ka. Dy hungarezët kuptohen mirë për gjithçka, por në kurriz të konsumatorëve shqiptarë.