Tirana është aty në krye të renditjes së vitit 2023, por sërish nuk arrin të fitojë si skuadra që ka grumbulluar më shumë pikë në 365 ditë.
Edhe pse e mbylli kampionatin 2022- 2023, me pikë të barabarta me Partizanin, bardheblutë nuk kanë bërë më mirë se të kuqtë. Në gjithë udhëtimin e tyre kanë grumbulluar 68 pikë, duke u pozicionuar të dytët në renditjen e ndeshjeve të Superiores, me të kuqtë që kanë 70 pikë në vendin e parë. Bardheblutë kanë më shumë fitore se Partizani, por më pak barazime dhe më shumë humbje. Për një gol më pak nuk janë as skuadra më e mirë në sulm. Me 62 gola janë të dytët pas Egnatias me 63 gola. Nga ana tjetër janë mbrojtja e tretë më e keqe e vitit kalendarik 2023 me 47 gola të pësuar. Më keq se Tirana në mbrojtje kanë bërë Laçi dhe Erzeni. Llogaritja është bërë në 39 takime të luajtura. Në këtë renditje nuk janë futur ndeshjet e Kupës së Shqipërisë dhe Europës.
ARRITJET – Tirana këtë vit nuk doli të fitonte trofe. Edhe pse mbylli 2022-shin me fitimin e Superkupës së Shqipërisë, në 2023-shin ishte finaliste e Kupës së Shqipërisë të humbur ndaj Egnatias. Po kështu për një humbje në derbi humbi edhe titullin kampion, me Partizanin që ngriti trofeun. Dy kampionatet e fundit skuadra ka qëndruar në krye 20 javë dhe është e dyta në këtë renditje. Sërish Partizani në krye me 21 javë si kryesuese e Superiores. Tirana fiton 46.50 pikë në një vit kalendarik dhe është e dyta. Tirana është në vendin e tretë të Superiores, teksa është 11 pikë larg nga kreu. Në këtë moment që flasim ka ndërruar dy trajnerë. Bardheblutë gjatë 365 ditëve kanë larguar 20 futbollistë në dy merkatot e janarit dhe verës 2023. Nga ana tjetër, ata kanë afruar së bashku në dy merkatot 18 futbollistë, duke balancuar afrimet dhe largimet në skuadër.
PARATË – Skuadra gjithashtu nga largimet e Hasanit, Xhixhës, Ismajlgecit, ka fituar 1 milion euro. Kualifikimi në turin e dytë të Ligës së Konferencës në këtë verë u ka garantuar bardhebluve 550 mijë euro nga UEFA. Ama bonusi nuk janë paratë e Europës, por ajo që fituan nga sfida me Beshiktashin ishte më shumë nga sa mund të grumbullonin nga turi i tretë i Ligës së Konferencës. Tirana shiti 11 mijë bileta, ndërsa nga ana tjetër e ardhur për sfidën me Beshiktashin ishin reklamat në stadium. Po kështu, bardheblutë shitën 300 mijë euro të drejtën e TV-së për sfidën me Beshiktashin dhe gjithçka mesa është marrë vesh është mbyllur me një fitim mbi 1 milion euro. Në total 2023-shi ka sjellë mbi 2 milionë euro.