Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalimin e tij në Asamblenë Parlamentare të Partisë Popullore Europiane (PPE), denoncoi gjendjen në Shqipëri si shumë të rëndë, duke e cilësuar vendin si i vetmi narko-shtet në Europë. Berisha akuzoi qeverinë shqiptare për manipulim masiv të zgjedhjeve, duke përdorur të gjithë shtetin si një trupë elektorale.
Sipas Berishës, gjatë fushatës janë shpërndarë para publike në mënyrë abuzive, përfshirë nga 100 euro për çdo pensionist dhe falje prej 200 milionë eurosh në gjoba, vetëm pak ditë para zgjedhjeve. Lideri Opozitar riktheksoi rolin e patronazhistëve, të cilët kanë pasur qasje në të dhëna personale të qytetarëve dhe janë përdorur për t’i kërcënuar apo joshur ata.
Në fjalimin e tij në asamblenë parlamentare të PPE, Berisha e përshkroi Shqipërinë si një vend ku kartelet e drogës kanë kapur portet, trafikun e heroinës dhe janë në bashkëpunim me policinë, prokurorinë, ministrat dhe vetë kryeministrin, duke përmendur emrin e Ergys Agasit si koordinatori i lidhur me këto aktivitete kriminale.
Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi se janë dhënë 138 licenca për kultivimin e kanabisit në një sipërfaqe prej 29,000 hektarësh, shumë më tepër se kufiri ligjor prej 200 hektarësh. Berisha kërkoi nga PPE një mision fakt-mbledhës në Shqipëri për të verifikuar dokumentet që faktojnë lidhjet e shtetit me kartelet ndërkombëtare të drogës si Sinaloa, Medellín, Peru, Bolivi e të tjerë. Sipas liderit demokrat, një ndërhyrje e tillë është e domosdoshme jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Europën, pasi vendi është një eksportues i madh krimi, droge dhe emigrantësh.
Kryetari i PD e mbylli fjalën e tij duke falënderuar PPE-në për mbështetjen si edhe kërkoi ndihmë të mëtejshme për ta luftuar këtë situatë.
FJALA E PLOTË
Faleminderit, Zoti Sekretar i Përgjithshëm, i nderuar Z. President.
Së pari, dua të falënderoj PPE-në dhe Presidencën e PPE-së për konferencën që organizuan në Mal të Zi dhe për rezolutën që miratuan në Valencia, në të cilën paraqitën të gjithë situatën në vendin tim në prag të zgjedhjeve, një situatë që tregoi se vota ishte e vdekur para se të hynte në kutinë e votimit.
Në fakt, në këto zgjedhje, i gjithë shteti u shndërrua në një trupë elektorale. U përdorën fuqitë financiare, njerëzore, logjistike, ekzekutive, pa kufij për të ndaluar, për të kontrolluar dhe për të manipuluar votën e qytetarëve shqiptarë.
Qeveria, gjatë fushatës zgjedhore, në kundërshtim me ligjet dhe me parimet ndërkombëtare, u dhuroi çdo pensionisti, që përfaqëson 48% të votuesve, nga 100 euro. Dy ditë para zgjedhjeve, ajo fali 200 milionë euro gjoba dhe interesa.
Ajo mobilizoi dhjetëra mijëra punonjës të administratës, të kthyer në një lloj “policie politike” të quajtur patronazhistë. Patronazhistë të armatosur me të dhëna personale të marra nga sistemet digjitale të qeverisë dhe bankave, të cilat u përdorën për të joshur apo kërcënuar qytetarët në të gjithë vendin.
Nga ana tjetër, siç e dini, Shqipëria është i vetmi narko-shtet në Europë. Zoti Kryeministër i Shqipërisë dha 138 licenca për kultivim droge. Nëse ligji lejon kultivimin për qëllime mjekësore në vetëm 200 hektarë, këtë herë ai dha 29,000 hektarë – një shifër që përkthehet në më shumë se 100 milionë rrënjë kanabis. Një rrënjë ka vlerë nga 500 deri në 1,000 euro. Kjo ishte, pak a shumë, atmosfera në të cilën u zhvilluan këto zgjedhje.
Zonja Sekretare e Përgjithshme, ju theksuat përfshirjen e shtetit. Në të vërtetë, nuk ishte vetëm shtet, ishte një narko-shtet. Shqipëria është i pari dhe i vetmi narko-shtet në Europë.
Ne ndodhemi në një situatë shumë të vështirë. Kartelat e drogës në vendin tim janë, me diferencë, më të fuqishmet në Europë. Pse? Sepse kanë në dorë portet kryesore të vendit. Rruga e heroinës që vjen nga Lindja kalon nga duart e tyre. Ata janë në sipërmarrje të përbashkëta me policinë, prokurorët, ministrat – dhe vetë Kryeministrin. Në zyrën e tij, ai mban një person të quajtur Ergys Agasi, që vepron si koordinatori i kartelit të drogës në shërbim të pushtetit.
Nuk është një situatë e lehtë, por është një situatë që duhet dhe mund ta luftojmë.
Ndihma që kërkoj ende nga PPE-ja dhe partitë motra është dërgimi i një misioni verifikues në vendin tim, një mision fakt-mbledhës, që do të kishte rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet tuaja. Sepse Shqipëria është një eksportuese e madhe kriminaliteti dhe droge. Dhe gjithashtu, një eksportuese shumë e madhe emigrantësh.
Një mision fakt-mbledhës nga Partia Popullore Europiane është më se i domosdoshëm. Ne kemi në dispozicion një sasi të jashtëzakonshme dokumentesh që tregojnë si funksionon ky narko-shtet, cilat janë lidhjet e tij me kartelin Sinaloa të Meksikës, me kartelët në Medelin, Bolivi, Peru, Ekuador.
Besoj se së bashku mund të ndihmojmë kombin tonë, por edhe rajonin dhe vetë Bashkimin Europian.
Edhe një herë, ju falënderoj për ndihmën dhe mbështetjen tuaj.
Faleminderit!