Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur shqetësimin për zgjedhjet e fundit parlamentare gjatë fjalës së tij në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së. Në krye të delegacionit të opozitës, Berisha e ka cilësuar procesin e 11 majit 2025 si një farsë elektorale dhe ka bërë thirrje për ndihmën e OSBE-së në rivendosjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në vend.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi se Shqipëria është i vetmi narkoshtet në Europë dhe se pushteti është i përqendruar në duart e një personi, duke e kthyer vendin në një narko-diktaturë ku ligji nuk respektohet. Ai përmendi “dekretin” e Kryeministrit Edi Rama për lejimin e mbjelljes së kanabisit pak para zgjedhjeve dhe lidhjet sipas tij, të karteleve të drogës me qeverinë.
Berisha gjithashtu denoncoi arrestimin e liderëve të opozitës dhe përdorimin e burimeve shtetërore dhe administrative për përfitime elektorale, duke e shndërruar administratën publike në një rrjet patronazhistësh. Ai shtoi se dita e zgjedhjeve ishte edhe më e keqe, me kartelet e drogës që diktuan rezultatin për 28 deputetë.
Duke iu drejtuar OSBE-së, Berisha kërkoi mbështetjen e raportit paraprak të ODIHR dhe zbatimin e rekomandimeve të raporteve të fundit të OSBE-ODIHR, të cilat sipas tij kanë mbetur të pazbatuara. Ai theksoi se pa një qeveri teknike, shqiptarët nuk do të kenë mundësi të bëjnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe kërkoi ndihmën e këtij institucioni të nderuar për të siguruar të drejtën e kombit të tij për të votuar i lirë.