Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos ka deklaruar se rruga evropiane e Kosovës shkon përmes normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Sipas saj, kjo duhet të bëhet përmes dialogut të Brukselit. Në seancën e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian zyrtarja europiane kritikoi edhe Vuçiç për vizitën e tij në Moskë
“Ne kemi një mundësi reale për të pranuar një ose më shumë vende kandidate me të drejta të plota si shtete anëtare të BE-së brenda vitit 2029. Ne duam që vendet kandidate të jenë pjesë e sistemit tonë të përbashkët të sigurisë. Shteti i së drejtës është i panegociueshëm.
Komisioni është i gatshëm të përgatis mendimin për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian kur të pranojë kërkesë të tillë nga Këshilli. Por, më lejoni të jem e qartë, rruga e Kosovës drejt BE-së shkon përmes normalizimit të raporteve me Beogradin dhe jo përmes veprimeve të njëanshme.
Për sa i përket Serbisë, progresi i vërtetë varet nga rivendosja e besimit publik dhe angazhimi i të gjithë palëve të interesuara. I kam thënë gjithashtu Presidentit Aleksandar Vuçiç se vizita e tij në Moskë dërgon sinjalin e gabuar dhe ndërlikon përpjekjet tona për të avokuar për Serbinë.
Në lidhje me politikat separatist të Milorad Dodik mund të them se ai po e tërheq vendin prapa, jo përpara, dhe është koha që ata që besojnë në të ardhmen e vendit në BE të bashkojnë forcat dhe të zbatojnë reformat”, tha Kos.