Në skenën politike shqiptare po shfaqet një “live” më interesant se çdo përplasje TikToku ndërmjet Cllevio Serbianos dhe Kozak Braçit.
Po, ata dy të fundit e thonë hapur se përdorin fjalor banal dhe bëjnë replika të ashpra në rrjetet sociale, por ndërkohë në fushën e politikës, Edi Rama dhe Lulzim Basha po ia kalojnë edhe vetë mjeshtrave të thumbave online.
Nga njëra anë, Rama poston video “artistike” të titulluara “Zgjimi i Lulit” ku i kujton Bashës se “Ej po prapë përgjumësh ti mor burrë…Sa deputetë do nxjerrësh në Tiranë?”.
Me këtë ironi, kryeministri tenton ta paraqesë Bashën si një të përgjumur kronik që nuk kupton çfarë ndodh rreth tij.
Nga ana tjetër, Basha i përgjigjet Ramës me një qasje “alla-Unikkatil”, ku në vend të fakteve, thirrjet janë për përballje të hapur: “O Ramë, ça frikacaku je mo burrë.”
Por ajo që e bën më interesant këtë ‘telenovelë’ është fakti se Rama, i njëjti njeri që dëshiron të mbyllë TikTok-un për shkak të “përmbajtjeve degraduese”, po përdor të njëjtën gjuhë thumbash dhe sulmesh që janë bërë aq popullore në këtë platformë.
Fundja: Nëse nuk do të shihni më Cllevion dhe Kozakun në TikTok, mos u shqetësoni, show vijon në politikën shqiptare.