Autoriteti i Konkurrencës njoftoi sot se ka hapur hetim paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare në vend.
Sipas këtij institucioni, Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e 29 Janarit, mori në shqyrtim raportin e Sekretariatit të Konkurrencës për hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj ndërmarrjeve Vodafone Albania dhe One Albania në tregun me pakicë të shërbimeve celulare.
Operatorët celularë kanë rritur çmimet për paketat bazë të komunikimit me parapagesë me të paktën 100-200 lekë në 2-3 vitet e fundit, por ndërkohë kanë ulur edhe njësitë e përfshira të komunikimit në to, si një formë për të nxitur përdoruesit të lëvizin drejt paketave me çmim më të lartë.
Qysh në vitin 2023, rezultati financiar i operatorëve celularë ka filluar të përmirësohet.
Sipas informacionit të raportuar në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), dy operatorët celularë fituan gjithsej 619 milionë lekë për vitin 2023, ndërsa viti 2022 ishte mbyllur me humbje neto në vlerën e 499 milionë lekëve.
Vodafone Albania arriti një fitim neto në vlerën e 549 milionë lekëve, ndërkohë që vitin 2022 e pati mbyllur me një humbje neto prej 30 milionë lekësh.
Një fitim më të vogël ka raportuar operatori i dytë, One Albania, por që gjithashtu e ka përmirësuar ndjeshëm rezultatin krahasuar me një vit më parë. Sipas AKEP, One Albania e mbylli vitin 2023 me një fitim neto në vlerën e 70 milionë lekëve, ndërkohë që për vitin 2022 kishte raportuar një humbje prej 469 milionë lekësh./Monitor