Në Ditën Botërore të Autizmit, nuk flasim thjesht për një çështje shëndetësore apo sociale, por për një betejë të përditshme për dinjitetin, për të drejtën për të qenë i pranishëm, i përfshirë dhe i respektuar.
Autizmi nuk është një kufizim, por një mënyrë ndryshe e të perceptuarit, të menduarit dhe të jetuarit.
“Kam parë nga afër përpjekjen e prindërve që luftojnë çdo ditë për të siguruar terapinë e nevojshme për fëmijët e tyre. Kam dëgjuar mësues të përkushtuar që ndihen të pambështetur përballë sfidave të mësimdhënies për fëmijë me nevoja të veçanta. Dhe mbi të gjitha, kam njohur fëmijë të mrekullueshëm, me talent, imagjinatë dhe ndjeshmëri, të cilët shoqëria ende nuk di t’i mbështesë siç duhet,” – shprehet Taulanda Jupi.
Në vend të mëshirës, këta fëmijë kanë nevojë për besim. Në vend të përjashtimit, për qasje të barabartë. Dhe mbi të gjitha, për politika që nuk ndryshojnë me ndërrimin e qeverive, por që ndërtojnë themele të forta për të ardhmen.
“Ky është një zotim që nuk përfundon këtu. Ky është një angazhim që do të përkthehet në reforma arsimore, mbështetje për familjet, trajnime për profesionistët dhe një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si i kuptojmë dhe i trajtojmë dallimet,” – thekson ajo.