Orges Shehi vetëm para pak ditësh u emërua në krye të Partizanit, duke nisur aventurën e tij të parë si trajner me klubin e kuq, ku si futbollist ka luajtur katër vite në periudhën 2005-2009. Durrsaku vjen te Partizani në mesin e sezonit dhe gjen një skuadër me plot elemente pozitive, por edhe negative.
TË MIRAT
* Ish-portieri merr në dorë ndoshta skuadrën më të plotësuar në Kategorinë Superiore. Mund të themi se trajneri ka në dispozicion dy formacione, që do të ishin pretendetë për titull në çdo rast.
* Shehi vjen në një nga klubet me infrastrukturën më të mirë dhe me financat më të shëndosha. Kjo është garancia kryesore që gjithçka të funksionojë siç duhet.
* Pikët dhe renditja nuk e bëjnë Shehin të djersijë nga sikleti. Është në vendin e dytë, pesë pikë larg Egnatias, pas dy fazash. Gjithçka është në lojë, duke pasur parasysh edhe “Final 4”.
* Trajneri i ri e merr Partizanin para merkatos së janarit, ku ka luksin që të bëjë afrimet e duhura për ta përshtatur ekipin sipas ideve dhe skemave të tij. Shehi mund të bëjë afrime, por edhe skarcime.
VËSHTIRËSITË
* Partizani kalon në dorën e trajnerit të ri, pas një periudhe shumë të vështirë sa i përket rezultateve. Të kuqtë e mbyllën vitin me gjashtë barazime dhe një humbje në kampionat. Ngushëllimi i vetëm ishte Superkupa, ku gjithsesi loja çaloi.
* Skuadra vijon të jetë e gjymtuar për shkak të dëmtimeve të shumta. Bytyçi, Preka, Hoxha dhe Mba janë jashtë fushave dhe do të mungojnë për periudha të ndryshme. Shehi duhet t’i rikthejë sa më shpejt.
* Të marrësh një skuadër që nuk e ke ndërtuar vetë në asnjë moment nuk është e lehtë dhe kjo mund të jetë pengesë për Shehin, që te Tirana kishte bërë edhe zgjedhjet e tij në merkato.
* Aktualisht Partizani nuk ka saktësi në sulm dhe është i brishtë në mbrojtje. Shehi ka për detyrë të rregullojë këto dy elemente dhe të kthejë skuadrën në nivelin e kohës kur regjistronin 6 fitore radhazi.