Një grup nga Bashkia Lezhë, Policia Bashkiake, Drejtoria e Urbanistikës, Drejtoria e Taksave dhe Njësia Administrative ka zhvilluar sot një kontroll të gjerë në terren përgjatë vijës bregdetare të Shëngjinit.
Kontrollet u përqendruan në rastet e abuzimeve me çmimet e parkingjeve, verifikimin e kontratave të stacioneve të plazheve të menaxhuara nga subjekte private, përfshirë edhe ato të menaxhuara nga kompania “Lezha Invest”, si dhe zënien pa të drejtë të hapësirave publike në stacionet e plazheve publike.
Si rezultat i aksionit, janë konstatuar një sërë shkeljesh. Për subjektet në shkelje janë marrë masa administrative, janë vendosur gjobitje dhe sekuestrime, ndërsa disa raste janë referuar pranë Drejtorisë së Tatimeve për hetim të thelluar tatimor.
Aksioni është pjesë e një plani të gjerë për të garantuar rend, transparencë dhe barazi për të gjithë operatorët turistikë dhe qytetarët gjatë sezonit veror në Shëngjin.