Në vitin 2003, ushtria e Shteteve të Bashkuara kishte një synim shumë të qartë: arrestimin Sadam Huseinit. Sadami ishte zhdukur nga qarkullimi pas pushtimit të Irakut në fillim të atij viti, teksa ushtria amerikane e etiketoi publikisht diktatorin si “objektivin e saj më me vlerë”.
Kërkimi për Sadamin zgjati plot 9 muaj. Mbi 12 operacione përfunduan pa sukses, dhe në një moment u duk sikur forcat speciale nuk ishin në gjendje ta gjenin diktatorin e rrëzuar. Më në fund, në dhjetorin e vitit 2003, ushtarët amerikanë bastisën një shtëpi në Bagdad. Atje, ata gjetën Muhamed Ibrahim Omar Al-Muslit, shokun e ngushtë të Sadamit, i cili u dha informacione jetike mbi vendndodhjen e ish-presidentit irakian. Duke përdorur të gjithë informacionin e mbledhur, zyrtarët e ushtrisë amerikane ishin në gjendje të përcaktonin dy vendndodhje të mundshme ku mund ta gjenin Sadamin. Ato u quajtën në mënyrë të koduar “Wolverine 1” dhe “Wolverine 2”. Kështu nisi operacioni “Agimi i Kuq”, misioni që çoi në kapjen e Sadam Huseinit.
Po si u ngjit në pushtet Sadam Huseini?
Sadam Husseini lindi në fshatin e vogël Al Auja në Irak më 28 prill 1937. Ai pati një fëmijëri traumatike. Para se të lindte, babai dhe vëllai vdiqën nga kanceri, ngjarje që e zhytën në depresion nënën e tij. Ajo u përpoq ta ndërpresë shtatzëninë me të, dhe më pas të vriste veten, por të dyja përpjekjet ishin të pasuksesshme. Kur u martua sërish me një burrë të quajtur Ibrahim Al-Has, burri i saj i ri abuzonte shpesh me Sadamin, duke e rrahur shpesh qoftë edhe për ta zgjuar nga gjumi. Kur ishte rreth 10 vjeç, ai vendosi të largohej nga shtëpia e tij dhe të shkonte në Bagdad. Atje nisi të studionte për drejtësi.
Por e braktisi universitetin në fillim të viteve 1950 për t’u bashkuar me Partinë Socialiste Arabe Ba’ath, ndërsa nisi punë si mësues një shkollën e mesme. Në atë kohë Partia Ba’ath ishte një parti politike pan-arabe me mbështetje të fortë kryesisht në Siri. Numri i anëtarëve të saj në Irak ishte rreth 300 njerëz.
Xhaxhai i Sadamit, Khairallah Talfah, me të cilin ai jetoi pasi u largua nga shtëpia e tij për shkak të abuzimeve fizike nga njerku, ishte gjithashtu një mbështetës i madh i Baathistëve. Baathistët u frymëzuan më tej nga ngjitja në pushtet e Gamal Abdel Naserit në Egjipt, presidenti i dytë i këtij vendi pas pavarësisë, dhe udhëheqës i revolucionit të vitit 1952, që rrëzoi mbretin Faruk dhe solli një periudhë ndryshimesh të rëndësishme në vend.
Revolucioni dhe ngjitja e Naser në pushtet, ndikoi tek shumë zhvillime të ngjashme në rajon. Kështu në vitin 1958, oficerët e ushtrisë irakiane të udhëhequr nga Abd Al-Karim Qazim organizuan një grusht shteti kundër mbretit të tyre të fundit, Faizal II. Por Qazim nuk u pajtua me idealin Ba’athist të pan-Arabizmit, duke ndjekur një linjë nacionaliste me moton “Iraku i Pari”.
Shumë Ba’athistë u zhgënjyen me Qazim, dhe nisën të komplotonin për vrasjen e tij. Ndër burrat e përzgjedhur për të kryer operacionin ishte edhe Sadam Huseini. Sipas historianëve Xherrold Post dhe Amatzia Baram , ndonëse i pasuksesshëm, atentati e bëri shumë të njohur Sadam Huseinin.
Pas kthimit të tij nga mërgimi i detyruar në vitin 1963, ai ishte në gjendje të rriste ndikimin dhe fuqinë e tij, derisa në vitin 1976 u bë gjeneral i forcave të armatosura irakiane. Tre vjet më vonë, spastroi shumë nga drejtuesit e Partisë Ba’ath dhe i falënderoi ata që i mbetën besnikë.
Sadami dhe “boshti i së keqes”
Sadami e sundoi Irakun në mënyrë brutale gjatë viteve 1979-2003. Ai e bëri që në fillim të qartë se toleranca nuk ishte shqetësimi i tij kryesor. Sapo mori kontrollin e qeverisë, dëboi nga vendi 40.000 mylimanë shiitë dhe urdhëroi ekzekutimin e Mohammed Al’Bakr Sadr, një filozof irakian që kishte lidhje të ngushta me Ajatollah Khomeinin, një revolucionar nga Irani që bëri thirrje për të përmbysur Ba’athistët, parti e përbërë kryesisht nga myslimanët sunitë.
Dy vjet më vonë, më 22 shtator 1980, Sadami urdhëroi ushtrinë e tij të niste një sulm ajror kundër Iranit, duke nisur një konflikt që do të zgjaste 8 vjet dhe do të shkaktonte më shumë se 1 milion të vdekur. Në vitin 1990, Iraku pushtoi Kuvajtin me 140.000 trupa, duke shënuar fillimin e një konflikti tjetër:Luftën e Gjirit Persik. Në kundërpërgjigje, forcat e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja nisën operacionin “Stuhia e Shkretëtirës” për të çliruar Kuvajtin nga pushtimi i Irakut. Operacioni pati sukses, por nuk solli rrëzimin e Sadamit nga pushteti.
Vetëm 4 vjet pas mbylljes së operacionit “Stuhia e Shkretëtirës”, Sadami u rizgjodh si president i Irakut, dhe marrëdhëniet ndërkombëtare u përkeqësuan vetëm kur Iraku refuzoi të bashkëpunonte mbi inspektimet e armëve të tij nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara. Më pas më 29 janar 2002, presidenti amerikan Xhorxh W.Bush mbajti fjalimin e tij vjetor, në të cilin ai iu referua tre vendeve – Koresë së Veriut, Iranit dhe Irakut – si “Boshti i së Keqes”. “Duke kërkuar armë të shkatërrimit në masë, këto regjime paraqesin një rrezik të madh dhe në rritje të vazhdueshme. Ata mund t’ia japin ato armë terroristëve. Ata mund të sulmojnë aleatët tanë ose të tentojnë të shantazhojnë Shtetet e Bashkuara. Në cilindo nga këto raste, çmimi i indiferencës do të kishte pasoja katastrofike”- tha ndër të tjera Bush.
Shtetet e Bashkuara nisën zyrtarisht luftën e tyre ndaj Irakut më 20 mars 2003, pak më shumë se një vit pasi Bush denoncoi “Boshtin e së Keqes”. Edhe pse SHBA-ja e nisi sulmin nën pretekstin e sekuestrimit të rezervave të supozuara të armëve bërthamore, nuk ka prova reale që të sugjerojnë se Iraku kishte grumbulluar vërtet armë të tilla. Megjithatë synimi tjetër, ishte i thjeshtë: kapja e Sadam Huseinit dhe çlirimi i popullit irakian nga regjimi i tij autoritar. Ky operacion njihej si “Agimi i Kuq”.
Operacioni “Agimi i Kuq” dhe kapja e Sadam Huseinit
Sipas një dëshmie nga ushtria amerikane, forcat e Shteteve të Bashkuara arritën ta pushtonin Bagdadin brenda vetëm 3 javësh nga fillimi i sulmit. Por Sadami kishte arritur të arratisej nga qyteti. Kështu nisi një gjueti 9-mujore për presidentin e rrëzuar irakian. Forcat amerikane përpiluan një listë të objektivave me shumë vlerë, ku Sadami ishte prioriteti kryesor. Ata nisën të gjenin dhe arrestonin anëtarë të shquar të regjimit të tij. Megjithatë,
shumë shpejt e kuptuan se me rënien e regjimit, qeveria e tij ishte shpërbërë tërësisht.
Ndaj oficerët e inteligjencës amerikane, vendosën të merrnin në pyetje familjen dhe miqtë e ngushtë të Sadamit, duke menduar se ata do të kishin informacione më të besueshme për vendndodhjen e tij. Ky proces i çoi ata tek një çift vëllezërish, Al-Muslit, që kishin qenë truproja personale të Sadam Huseinit.
Ata bastisën shtëpinë e Omar Al-Muslit dhe gjetën atje një mori fotografish familjare, që i ndihmuan të identifikonin vëllezërit që kishin qenë pjesë e rrethit të brendshëm të Sadamit. Dhe më 11 tetor 2003, forcat amerikane arrestuan Ibrahim Al-Musslit, që i çoi tek Basim Latif, një mik i besuar i Sadamit.
Pas bastisjes së 2 shtëpive në një zonë rurale, forcat amerikane nuk mundën të gjenin ende asnjë shenjë të Sadamit. Megjithatë, ata kapën 2 njerëz të tjerë të gatshëm t’u jepnin atyre informacione, të cilat i çuan drejtpërdrejt në një tunel nëntokësor, ku fshihej një burrë i palarë dhe me mjekër të gjatë. “Unë jam Sadam Huseini, unë jam presidenti i Irakut dhe jam i gatshëm të negocioj!”- u tha marinsave ish-presidenti irakian. Sadam Husein u nxor në gjyq nën qeverinë e përkohshme të Irakut, pasi iu dorëzua atyre nga autoritetet amerikane në qershor 2004. Ai u akuzua për krime kundër njerëzimit, akuza për të cilat Gjykata Speciale e Irakut e shpalli fajtor.
Pavarësisht protestave të shpeshta të Sadamit se nuk e njihte autoritetin e gjykatës, dhe se ai ishte ende president i Irakut, gjykata e dënoi me vdekje me varje në litar. Vetë Sadami kërkoi pushkatimin. Dy ditë para se të ekzekutohej me varje, faqja në internet e Partisë Socialiste
Arabe Ba’ath publikoi një letër të shkruar nga Sadami. Në të, ai i kërkoi popullit irakian që të përqafonte “bashkëjetesën vëllazërore”, dhe u kërkoi atyre të mos urrejnë qytetarët e vendeve që kishin pushtuar Irakun, si Shtetet e Bashkuara, por më shumë vendimmarrësit që e nisën luftën. Ai e mbylli letrën duke u vetë-cilësuar si një martir, duke thënë se ishte i gatshëm të sakrifikohej për popullin e tij.