Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka zbuluar detaje të reja rreth ngjarjes së rëndë që ndodhi në Kosovë, ku Naim Murseli inskenoi vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës.
Lala u shpreh se Naim Murseli ka dhënë fillimisht deklarata kontradiktore në polici, por edhe te familjarët e Liridonës me të cilët ka komunikuar pas ngjarjes së rëndë.
Ajo shtoi se aludimet se ngjarja ndodhi sepse Naim Murseli kërkonte të përfitonte prej një siguracioni jete me vlerë miliona euro në Suedi janë të rreme, pasi siguracioni më i lartë i mundshëm në shtetin skandinav për jetën është rreth 1 milion euro.
Sipas saj vrasja ka ndodhur për t’i mbyllur gojën Liridona Ademajt për një sekret që ajo dinte dhe nuk ka qenë e planifikuar mirë, por ka qenë një plan i nxituar.
“Naim Murseli ishte duke drejtuar makinën, kishte hequr rripin e sigurimit, mori fëmijët, u largua, ndërsa gruaja u qëllua për vdekje. Nuk bënte sens. Që në momentet e para që u pyet Naimi fillimisht tha se ishte gruaja, më pas ai. Gjatë marrjes në pyetje ai ishte kontradiktor, ndaj edhe policia e futi në rrethin e të dyshuarve. Policia mori më pas informata për lëvizjet e tij para krimit dhe më pas dhe ka instaluar kamera në vendet ku mendohej se do të shkonte.
Liridona Ademaj me familjen darkuan në një restorant, dhe një prej personave prezentë në restorant ishte edhe vrasësi Granit Plava. Një person nga i njëjti fshat me Naimin. E dyta, personat e përfshirë, Kushtrim Kokalla, kushëriri i Nurselit, janë takuar pas ngjarjes dhe kjo është provuar përmes disa kamerave sekrete të vendosura nga policia.