Këshilltari i Bexhet Pacollit, Jetlir Zymberaj, ka treguar njohjen e ish-presidentit të Kosovës me Naim Murselin, i cili porositi vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademajt, pak ditë më parë.
Përmes një lidhjeje me Euronews Albania, Zymberaj tha se Naimi ishte tip që vetë-ofrohej dhe imponohej dhe lidhja e tij me Pacollin nisi në fushata elektorale, kur ai ishte ankuar te ish-presidenti për një sëmundje të rëndë që po kalonte.

Zymberaj shtoi se Pacolli ka qenë i shokuar kur ka marrë vesh lajmin që Naimi ishte autor i vrasjes së gruas së tij, pasi sipas tij, ai kishte hyrje-dalje edhe në familjen e Pacollit dhe kontakte me fëmijët e tij.
“Ka qenë vitet 2008-2009 kur ne kemi qenë të angazhuar në fushata zgjedhore. Kush e njëh Pacollin, e di se çfarë qasje ka në raport me njerëzit, kryesisht me të rinjtë. Ky djali është afruar atëherë në fushatë zgjedhore dhe ka folur për brengën e tij për një sëmundje, duke kërkuar ndihmë, pasi ne e kemi edhe një fondacion.
Kështu ka nisur njohja dhe pastaj ka kërkuar një vend pune, duke shpalosur aftësitë e tij në rrjetet sociale. Ai ka qenë pjesë e ekipit të Pacollit, por jo e ekipit të ngushtë të tij. Edhe mediat e kanë paraqitur si këshilltar, por çfarë këshillash mund të japë një 25 vjeçar.
Naimi ka qenë një person si karakter imponues. Është imponuar jo vetëm në rrethet politike, artistike, por edhe në ambiente të caktuara, ai edhe pa ftesë, shkonte atje e imponohej. Naimi ka marrë pagë mujore te ne, brenda realitetit ekonomik të Kosovës, nuk e di se çfarë pune ka bërë në Suedi, thoshte që i ka disa biznese. Ka marrë mbështetje edhe nga Pacolli për ato ide biznesi të vetat, thoshte që ka në Suedi një local familjar”, është shprehur Zymberaj.