Një aksident rrugor është shënuar në orët e para të mëngjesit në aksin që lidh Matin me Rrugën e Arbrit, në fshatin Fshat të Klosit.
Dy automjete, një tip “Benz” dhe një “Volkswagen”, janë përplasur pranë rrethrrotullimit të Rrugës së Arbrit. Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në të dyja mjetet.
Si pasojë e aksidentit, janë lënduar dy drejtuesit e automjeteve, të cilët fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ky segment rrugor vijon të shfaqet problematik për sa i përket sigurisë. Vetëm dy ditë më parë, në të njëjtin aks u regjistruan tre aksidente brenda 30 minutash.
Shqetësimi i drejtuesve të automjeteve lidhet kryesisht me gjendjen e asfaltit, i cili sipas tyre bëhet tejet i rrëshqitshëm gjatë reshjeve të shiut. Ata e përshkruajnë rrugën si një “pistë patinazhi”, ku frenimi bëhet i vështirë dhe automjetet rrezikojnë të humbasin kontrollin.
Që prej ndërtimit të këtij aksi janë regjistruar dhjetëra aksidente, një pjesë e konsiderueshme e të cilave në ditët me lagështirë. Drejtuesit e mjeteve kërkojnë ndërhyrje për të përmirësuar sigurinë rrugore dhe për të shmangur aksidente të tjera.







