Protestat kundër rritjes së kostos së jetesës dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike kanë marrë një kthesë të dhunshme në disa qytete të Gjermanisë, ku demonstruesit kanë sulmuar biznese dhe janë përplasur me forcat e policisë.
Situata më e tensionuar u regjistrua të shtunën në mbrëmje në Frankfurt, ku grupe protestuesish thyen vitrinat e dyqaneve dhe shkaktuan dëme në zonat tregtare. Përplasje u shënuan gjithashtu në Berlin, Këln dhe Hamburg. Për të vënë situatën nën kontroll, policia përdori topa uji, pasi protestuesit sulmuan efektivët dhe ekipet e emergjencës me gurë, shishe dhe fishekzjarrë.
Gjatë orëve të para të ditës, mijëra qytetarë kishin marrë pjesë në demonstrata kryesisht paqësore. Ato u organizuan nga lëvizja aktiviste “Gen Z regelt”, që në shqip përkthehet “Gjenerata Z merr drejtimin”.
Protestuesit ngritën shqetësime për rritjen e kostos së jetesës, financimin e pamjaftueshëm të shkollave, shkurtimet në shpenzimet publike dhe rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Megjithatë, me kalimin e orëve dhe rënien e natës, situata u përshkallëzua. Në Frankfurt, policia ndërhyri duke bllokuar një pjesë të rrugës kryesore tregtare, pasi disa dyqane u sulmuan dhe iu thyen xhamat. Dhjetëra persona përfunduan në pranga.
Autoritetet në Frankfurt, Mynih dhe Berlin raportuan për rreth 18 mijë pjesëmarrës në demonstrata, ndërsa në qytete të tjera numri i protestuesve ishte edhe më i lartë.
Zëdhënësja e lëvizjes “Gen Z regelt”, Lina Friedrich, deklaroi se qëllimi i protestave ishte mbrojtja e paqes dhe lirive qytetare, duke kundërshtuar militarizimin dhe detyrimin për shërbim ushtarak.
Ajo theksoi se kërkesat kryesore të të rinjve lidhen me më shumë investime në shëndetësi dhe arsim, si dhe me një shpërndarje më të drejtë të barrës financiare në shoqëri.
Ndërkohë, policia e Frankfurtit njoftoi për trazira të rënda në qendër të qytetit. Përveç dëmtimit të bizneseve, ndaj shërbimeve të emergjencës u hodhën edhe bomba molotov. Në shënjestër të protestuesve ishte edhe një dyqan armësh, ku u thyen vitrinat. Pas arrestimit të një personi të dyshuar, policia sekuestroi dy armë.
Ministri i Brendshëm i landit të Hessenit, Roman Poseck, deklaroi se në protestë ishin infiltruar rreth 100 ekstremistë të majtë. Ai dënoi ashpër aktet e dhunës dhe paralajmëroi për rrezikun e përsëritjes së skenave të ngjashme me ato të Francës.
Protesta masive edhe në Francë, mbi 320 mijë qytetarë në rrugë
Trazirat në Gjermani vijnë në një kohë kur pakënaqësia sociale po rritet edhe në vende të tjera evropiane.
Në Francë, mbi 320 mijë persona morën pjesë në demonstrata kundër kostos së lartë të jetesës dhe dobësimit të shërbimeve publike. Protestat u zhvilluan për të tretën fundjavë radhazi dhe, në pjesën më të madhe, mbetën paqësore.
Megjithatë, në disa qytete pati përplasje mes protestuesve dhe policisë. Në Tuluzë, Lion dhe Marsejë u regjistruan incidente, ndërsa autoritetet kryen mbi 500 arrestime.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, bëri të ditur se një efektiv policie kishte mbetur i plagosur nga një bombë molotov. Edhe në Paris u raportuan sulme ndaj forcave të sigurisë me sende të forta.
Protesta u zhvilluan gjithashtu në Itali, në Romë dhe Torino. Ndërsa në Portugali, policia ndërhyri për të shpërndarë një kamp me tenda, të ngritur nga qytetarë që kundërshtonin një projektligj për qiratë, të cilin e konsiderojnë si një faktor që mund të rëndojë më tej krizën e strehimit.
Brezi i ri ngrihet kundër vështirësive ekonomike
Gjatë javëve të fundit, lëvizje protestuese të të rinjve janë shfaqur në disa vende të Evropës, mes tyre Franca, Belgjika, Irlanda, Spanja, Portugalia, Italia, Greqia, Serbia dhe Shqipëria.
Edhe pse kërkesat ndryshojnë sipas vendeve, shqetësimet janë të ngjashme: rritja e çmimeve, vështirësitë për të siguruar një banesë, problemet në sistemin arsimor dhe shkurtimet në shërbimet publike.
Pakënaqësia ndaj kushteve ekonomike dhe sociale po kthehet në një nga çështjet kryesore për brezin e ri, i cili po kërkon më shumë mundësi, siguri ekonomike dhe një të ardhme më të qëndrueshme.







