Ka ndërruar jetë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, 37-vjeçari Maridon Dhuli, i cili pësoi djegie të rënda pasi automjeti me të cilin udhëtonte u përfshi nga flakët mbrëmjen e kaluar në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë.
Ngjarja u regjistrua në afërsi të Skërficës, ku automjeti tip “Volkswagen Touran” mori zjarr në rrethana ende të paqarta.
Pas incidentit, kalimtarë të rastit i kanë dhënë ndihmën e parë 37-vjeçarit, i cili më pas u transportua me ambulancë drejt spitalit të Sarandës. Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, ai u dërgua më tej në QSUT në Tiranë, ku mori trajtim të specializuar.
Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, Maridon Dhuli nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes, si dhe për të zbardhur se si automjeti u përfshi nga flakët.







