Reshjet e dendura të shiut, të cilat nisën rreth mesnatës dhe zgjatën për afro dy orë, kanë shkaktuar përmbytje në disa lagje dhe akse rrugore të qytetit të Vlorës.
Grumbullimi i ujit në rrugë solli vështirësi të përkohshme në qarkullimin e automjeteve dhe të këmbësorëve. Ndërkohë, në pamjet e regjistruara gjatë natës shihen edhe turistë të huaj që kanë hyrë në ujin e grumbulluar në rrugë, duke u argëtuar mes tyre.
Për përballimin e situatës, punonjësit e Ujësjellës-Kanalizimeve kanë qenë në terren gjatë gjithë natës, duke punuar për largimin e ujërave nga zonat e prekura.
Si rezultat i ndërhyrjes, në orët e paradites uji është tërhequr nga rrugët, duke bërë të mundur normalizimin e qarkullimit për automjetet dhe qytetarët në zonat ku u regjistruan përmbytjet.







