Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) ka vendosur të ndërpresë mësimdhënien në të gjitha universitetet publike, në shenjë solidariteti me protestat e studentëve dhe nxënësve. Vendimi u miratua njëzëri nga kryesia e sindikatës më 20 tetor, ndërsa bojkoti ka nisur më 21 tetor dhe do të vijojë deri në një njoftim të dytë.
Në deklaratën zyrtare, SPUSH thekson se protestat lidhen me kërkesat për arsim cilësor, shërbime shëndetësore dinjitoze, siguri për jetën dhe pronën, si dhe llogaridhënie nga institucionet. Sipas sindikatës, mungesa e dialogut dhe përdorimi i forcës ndaj protestuesve kanë bërë që pedagogët të bashkohen me studentët, duke e konsideruar të pamundur vijimin normal të mësimit në këto kushte.
“Studentët protestojnë prej muajsh për arsim cilësor, shëndetësi dinjitoze, siguri jete e prone, për të drejtën e llogaridhënies etj. Përgjigjja që kanë marrë nuk ka qenë dialogu, por heshtja dhe, që nga 13 tetori dhe në vijim, edhe dhuna ekstreme. Pedagogët nuk mund të vazhdojnë mësimin si zakonisht, ndërkohë që studentët e tyre goditen në rrugë. Pedagogët ndajnë të njejtat opinione me studentet në lidhje me zhvillimet politike, ekonomike, korrupsionin galopant, mungesën e meritokracisë etj”, thuhet në njoftimin e Sindikatës mbi arsyet e bojkotit.
SPUSH kërkon ndalimin e dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve paqësorë, hetim të pavarur dhe transparent për përdorimin e forcës, vënien para përgjegjësisë të personave përgjegjës, trajtimin dinjitoz të studentëve të shoqëruar dhe plotësimin e kërkesave të protestuesve.
“Kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve paqësorë; Hetimin e pavarur dhe transparent në lidhje me përdorimin e forcës që nga data 13 tetor e në vijim, si dhe vënien para përgjegjësisë së atyre që e kanë urdhëruar dhe ushtruar këtë dhunë të pashembullt; Trajtimin e ligjshëm dhe dinjitoz të çdo studenti të shoqëruar; Plotësimin e kërkesave të studentëve dhe nxënësve”.
Sindikata u bën thirrje rektorëve dhe drejtuesve të institucioneve publike të arsimit të lartë të respektojnë vendimin dhe të mos marrin masa disiplinore ndaj pedagogëve dhe studentëve pjesëmarrës.







