Pas tensioneve dhe protestave studentore që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, Kuvendi ka njoftuar se do të mblidhet në seancë plenare të enjten, më 22 tetor.
Në axhendë është përfshirë një interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.
Kjo vjen pas disa ditësh protestash të studentëve dhe të rinjve në Tiranë, të shoqëruara me tensione dhe akuza për dhunë policore ndaj protestuesve.
Në seancë janë parashikuar gjithashtu dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi. Ky i fundit ka kërkuar edhe një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Përveç interpelancave, deputetët do të shqyrtojnë një sërë projektligjesh, mes tyre ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, si dhe ndryshimet në ligjin për shërbimet e pagesave.
Në rendin e ditës janë përfshirë edhe projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndryshimet në ligjin për të drejtat e autorit dhe projektligji për treguesit gjeografikë të produkteve artizanale dhe industriale.
Një tjetër pikë e rëndësishme është projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Shqipëri.
Seanca do të përmbyllet me diskutime për çështje jashtë rendit të ditës, ku deputetët mund të flasin sipas afateve të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit.







