Protestat në Tiranë janë shtrirë edhe jashtë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke u zhvendosur në zonën e Zogut të Zi, pranë Stacionit të Trenit, ku janë regjistruar momente tensioni mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Sipas raportimeve nga terreni, efektivët kanë ndjekur protestuesit në këtë zonë, ndërsa disa të rinj kanë djegur koshat e mbeturinave, duke përshkallëzuar situatën.
Ndërkohë, në rrugët e kryeqytetit janë dislokuar edhe autobotët e ujit, të cilët po përdoren nga policia në përpjekje për të shpërndarë turmën dhe për të rikthyer kontrollin në zonat ku vijojnë përplasjet.
Situata mbetet e tensionuar, me protestuesit dhe efektivët e policisë të pozicionuar përballë njëri-tjetrit. Ndërsa tubimi po shtrihet në disa pika të Tiranës, zhvillimet në zonën e Zogut të Zi tregojnë se përplasjet nuk janë kufizuar vetëm në bulevardin kryesor të kryeqytetit.







