Në një kohë kur mungesa e ujit të pijshëm vijon të prekë qendrat urbane dhe shumë zona të vendit, investimet publike në rrjetet e ujësjellës-kanalizimeve po ecin me ritme të ngadalta.
Nga 14.38 miliardë lekë të programuara për vitin 2026, deri në fund të korrikut ishin shpenzuar vetëm 4.39 miliardë lekë, ose 30.5% e fondit, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave.
Të dhënat buxhetore tregojnë se projektet që duhet të përmirësojnë situatën nuk po zbatohen me ritmin e planifikuar.
Që buxheti të realizohet i plotë deri në fund të dhjetorit, institucionet përgjegjëse duhet të shpenzojnë mesatarisht rreth 2 miliardë lekë në muaj. Kjo kërkon një ritëm më shumë se tri herë më të lartë se mesatarja mujore e periudhës janar–korrik.
Gati gjysma e buxhetit në projekte pa asnjë shpenzim
Nga 284 projekte me buxhet të miratuar ketë vit 201 nuk kishin regjistruar asnjë shpenzim deri në fund të korrikut 2026.
Për këto projekte ishin parashikuar gjithsej rreth 6.8 miliardë lekë, të barasvlershme me 47.6% të fondit të përgjithshëm.
Vonesat marrin rëndësi të veçantë në kushtet kur një pjesë e qyteteve vazhdon të mos ketë furnizim të pandërprerë me ujë. Investimet e parealizuara lidhen me ndërtimin dhe rikonstruksionin e ujësjellësve, zgjerimin e rrjeteve të kanalizimeve dhe impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura.
Shoqëritë rajonale përdorën vetëm 19% të fondeve
Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve paraqiti nivelin më të lartë të realizimit ndër institucionet kryesore. Deri në korrik, Agjencia kishte shpenzuar rreth 2.9 miliardë lekë nga 6.08 miliardë të programuara, ose 47.7%.
Shumë më e dobët ishte ecuria e Shoqërive Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve. Nga 6.54 miliardë lekë në dispozicion, ato kishin përdorur vetëm 1.26 miliardë lekë, me realizim 19.2%.
Këto shoqëri kanë një rol të drejtpërdrejtë në administrimin e sistemeve të furnizimit, reduktimin e humbjeve dhe përmirësimin e shërbimit. Ritmi i ulët i investimeve kufizon mundësinë për ndërhyrje në rrjetet e amortizuara dhe shtyn për më vonë zgjerimin e shërbimit në zonat me furnizim të pamjaftueshëm.
Në disa bashki, projektet nuk kishin regjistruar asnjë shpenzim. Në Vlorë, Patos, Bulqizë, Has dhe Mallakastër, fondet e papërdorura arrinin së bashku në mbi 1.17 miliardë lekë.
Bashkia e Vlorës kishte rreth 659 milionë lekë të programuara, por realizimi deri në korrik ishte zero. Patosi kishte në dispozicion 281 milionë lekë, ndërsa Bulqiza rreth 116 milionë lekë, gjithashtu pa shpenzime të regjistruara.
Investimet më të mëdha edhe në ujësjellës i merr Vlora
Projekti më i madh në program është “Infrastruktura Bashkiake V (Kredi)”, me fond rreth 1.02 miliardë lekë. Për të ishin shpenzuar afro 760 milionë lekë, ose 74.3% e buxhetit.
Ecuri të mirë shënoi edhe projekti për furnizimin me ujë të zonave bregdetare. Deri në korrik ishin përdorur rreth 274.7 milionë lekë nga 301.2 milionë të programuara, me realizim 91.2%.
Për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve nga Lungomare drejt impiantit të trajtimit u shpenzuan rreth 176.2 milionë lekë nga një fond prej 320.7 milionësh, ose 54.9%. Por disa prej investimeve me peshë të madhe financiare nuk kishin nisur.
Nuk kishte nisur financiarisht as rikonstruksioni i ujësjellësit në 15 fshatra të Vlorës, për të cilin ishin parashikuar rreth 346.1 milionë lekë. Pa shpenzime rezultonte edhe ujësjellësi i zonës së Ujit të Ftohtë dhe Lungomares, me një buxhet prej 301.4 milionë lekësh. Siç shihet pjesa më e madhe e investimeve ne ketë fushë ishte përqendruar në qarkun e Vlorës, duke lenë jashtë vëmendjes fshatra dhe qytete të tëra në të gjithë vendin që vuajnë për ujë./Monitor







