Deputeti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka paraqitur në gjykatë një listë të gjatë emrash që kërkon të thirren si dëshmitarë në procesin gjyqësor ndaj tij dhe ish-bashkëshortes, Monika Kryemadhi.
Në listën e propozuar nga Meta përfshihen figura të njohura të politikës, biznesit dhe medias, mes tyre ish-kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, kryeministri Edi Rama, Taulant Balla, biznesmeni Samir Mane, kryebashkiaku i Himarës Vangjel Tavo, si dhe analisti Baton Haxhiu.

Ndërkohë, edhe SPAK ka depozituar listën e dëshmitarëve që kërkon të paraqiten në gjykatë në kuadër të procesit ndaj Metës dhe Kryemadhit.

Në listën e Prokurorisë së Posaçme bëjnë pjesë ish-ministra, ish-deputetë, biznesmenë, diplomatë dhe bashkëpunëtorë të afërt të çiftit Meta-Kryemadhi.

Mes emrave të kërkuar nga SPAK janë Jozef Hejsek, Ervis Mataj, Pirro Xhixho, Kastriot Ismailaj, Milena Harito, Përparim Spahiu, Agron Çela, Luan Rama, Endrit Brahimllari, Samir Mane, Petrit Vasili, Spartak Braho, Ilir Kulla, Vangjel Tavo, Baton Haxhiu, Damian Gjiknuri dhe Ralf Gjoni.

Lista e gjatë e dëshmitarëve tregon kompleksitetin e dosjes që po shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme, e cila lidhet me akuzat e ngritura nga SPAK ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi.

Seancat e ardhshme pritet të përcaktojnë se cilët prej dëshmitarëve do të pranohen nga gjykata për t’u paraqitur dhe për të dhënë dëshmitë e tyre në proces.









