Një familjeje mesatare shqiptare i duhen mesatarisht 16.3 vite pune për të blerë një apartament.
Kjo kohë është më e gjata në të gjithë Europën, sipas treguesit Numbeo, që llogarit indeksin e çmimit ndaj të ardhurave, që mat përballueshmërinë e blerjes së një apartamenti, për mesin e vitit 2025.
Kjo është hera e parë që Shqipëria del në fund të listës për raportin e çmimeve të apartamenteve ndaj të ardhurave në 36 shtete të matura.
Në renditjen e fillimit të vitit 2024, viti më i hershëm kur Shqipëria është përfshirë në këtë tregues, vendi renditej në vend të 32, me 13.8 vite, duke lënë pas ndër të tjera Maqedoninë e Veriut (14.8) dhe Serbinë (16.8), që ishte e fundit në listë.
Përkeqësimi në renditjen e fundit tregon për një rritje më të shpejtë të çmimeve të apartamenteve në raport me të ardhurat. Në Shqipëri, paga mesatare mujore bruto për vitin 2024, sipas INSTAT, arriti në 77.5 mijë lekë/ muaj, ose rreth 770 euro. Megjithatë, pagat në Shqipëri mbeten rreth 30% më të ulëta se në vendet e tjera të rajonit.