Prokuroria e Posaçme përmes dy shkresave drejtuar Flamur Nokës ka kërkuar t’i vihen në dispozicion të gjitha të dhënat që lidhen me kontratën që Partia Demokratike ka lidhur me një kompani lobuese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Nga të dhënat e bëra publike në media, rezulton se kontrata me vlerë 6 milionë dollarë është firmosur nga Flamur Noka, e për këtë arsye SPAK i ka kërkuar zyrtarisht këtij të fundit t’iu dorëzojë një kopje, e po ashtu të sqarojë edhë mënyrën e financimit, pra burimin e shumës prej 6 milionë dollarë. Shkresës së parë, deputeti Noka nuk i ka kthyer përgjigje brenda afateve ligjore, cka ka detyruar prokurorinë e Posaçme ti dërgojë një shkresë të dytë.
Nuk dihet ende nëse Noka i është përgjigjur kësaj shkrese. SPAK deklaroi më herët përmes një reagimi zyrtar se po kryen verefikime lidhur me kontratën lobuese të PD-së, nisur nga të dhënat e bëra publike në media.
Kontrata e lobimit është nënshkruar nga shqiptaro-amerikani Nuredin Seci, president i firmës Continental Strategy LLC, Carlo Trujillo, një ish-këshilltar i presidentit amerikan Donald Trump, si dhe nga sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, në cilësinë e përfituesit. Kontrata ka si qëllim krijimin e marrëdhënieve me aktorët kryesorë në qeverinë dhe kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në kontratën e nënshkruar më 4 prill 2025, është përcaktuar të paguhet një tarifë prej 250 mijë USD në muaj për një periudhë prej 24 muajsh, që në total përllogaritet në masën prej 6 milionë USD. Sipas kontratës, PD rezulton përfituese e shërbimit dhe nuk do të kryejë asnjë pagesë.