Një pirg kontratash dhe transaksionesh thesari tregojnë se bashkëshortët Hasan dhe Mimoza Hafizi janë një nga çiftet politike-biologjike që ka përfituar më shumë pasuri dhe para publike gjatë historisë së pluralizimit në Shqipëri, sidomos gjatë pushtetit të Partisë Socialiste, deputetë të cilës ka qenë edhe zonja Hafizi. Përfitimet me natyrë korruptive në vlerë qindra milionë euro reflektohen edhe në pasurinë që ka akumuluar çifti; Mbi 30 pasuri të paluajtshme me vlerë dhjetëra milionë euro.

Bashkëshorti i ish deputetes socialiste Mimoza Hafizi, Hasan Hafizi, përmes kompanisë Albavia ku është aksioner kryesor, është protagonist i gropës së zezë 400 milionë euro për segmentin Qukës-Qafë Plloçë, një rrugë që ka rrënuar xhepat e taksapaguesve shqiptarë dhe që ende nuk ka mbaruar.

Krahas ‘avullimit’ të parave për segmentin Qukës-Qafë Plloçë, Hasan Hafizi, përmes kompanisë kryesore të tij, Albavia, ka përfituar edhe 55 milionë euro tendera publikë vitet e fundit për ndërtim, mirëmbajtje të veprave publike dhe mbikqyrje të punimeve, me ofertë fituese gati sa fondi limit dhe duke mashtruar me zbatimin e kontratave, me volumin dhe cilësinë e punimeve.


Hasan Hafizi është aksioner me 25 % në kompaninë e ndërtimit Karl Gega Konstruksion (ish Bovosara). Kur Mimoza Hafizi u zgjodh deputete, Hasan Hafizi i kaloi fiktivisht aksionet në emrin e të afërmve për të shmangur formalisht konfliktin e interesit, por jo përfitimet. Ai i rimori aksionet sapo Mimoza Hafizit i mbaroi mandati i deputetes në tetor 2018.

Kompania Karl Gega Konstruksion (ish Bovosara) ka marrë 60 tendera publikë me vlerë mbi 10 milionë euro, me procedura të dyshimta.

Përmes kompanisë Albavia, Hasan Hafizi ka 10 % të aksioneve në kompaninë ELECTRAL BATRA HPP, kompani e cila në vitin 2016, kur Mimoza Hafizi ishte deputete, ka marrë leje për ndërtimin e tre hidrocentraleve në rrjedhën ujore të pellgut të përroit të Zallit të Batrës.


Projekti përfshin; Hidrocentrali “SELITA” me fuqi të instaluar 1700 kw dhe prodhim të energjisë elektrike 8 213 710 kwh, Hidrocentrali “FRANKTHI” me fuqi të instaluar 1400 kw dhe prodhim të energjisë elektrike 6 554 030 kwh, Hidrocentrali “BATRA” me fuqi të instaluar 1950 Kw dhe prodhim të energjisë elektrike 9 427 560 kwh.
Përmes kompanisë Albavia, Hasan Hafizi kontrollon komapaninë TAMARA HYDRO ENERGY, përfituese e koncensionit në vitin 2019 për ndërtim, operim dhe transferim të hidrocentralit “Ura e Tamarës”.

Gjithashtu, përmes kompanisë Albavia, Hasan Hafizi ka 10 % të aksioneve në kompaninë HEC Hotolisht, përfituese e koncensionit për ndërtimin e disa hidrocentraleve në përroin e Hotolishtit, ku përfshihen hidrocentrali “Rreshpes”, hidrocentrali “Hotolisht Çota”, Hidrocentrali “Kokreve” dhe hidrocentrali “Hotolisht Qendër”.

Koncensionin e ka përfituar në vitin 2015 kur bashkëshortja e Hasanit, Mimoza Hafizi ka qenë deputete e PS, pra e partisë në pushtet që ka marrë vendimmarrjen, edhe pse Hafizi e kishte kaluar fiktivisht aksionet e kompanisë Albavia në emër të familjarëve të tij, por fakte tregojnë se kompania ka qenë gjithnjë nën zotërimin e çiftit.
Hasan Hafizi është aksioner me rreth 24 % në kompaninë pjesërisht shtetërore Euro Gren me obejkt veprimtarie; Prodhim, përpunim, tregtim, eksportim dhe importim të detaleve gjysëmfabrikate prej druri, të lëndëve drusore të gjithfarëllojshme të sharruar.

Përmes kësaj kompanie, ku shteti shqiptar ka sot 29 % të aksioneve, janë përfituar prona publike me vlerë miliona euro.
Hasan Hafizi fut duart në lekët e rrugës Lekaj-Fier
Në vitin 2022, finalizohet pazari për koncensionin 320 milionë euro, për ndërtimin e segmentit rrugor Lekaj-Konjat-Fier, me kosto disa herë më të lartë se sa në vendet e BE, duke evituar garën dhe maksimalizuar vjedhjen. Çeta që do shpallej fituese me në krye Çim Fushën, në janar 2023, themelon kompaninë AFL. Pjesë e pazarit bëhet edhe Hasan Hafizi gjithnjë duke përdorur si mbulesë kompaninë kryesore të dallavereve Albavia.

Koncensioni është një aferë e pastër korruptive. Për koncesionin e kësaj rruge 46 kilometra të gjatë, në pjesën më të madhe të asfaltuar, parashikoheshin shpenzime nga 170 deri në 200 milionë euro. Por, koncesioni u dha pa garë duke dyfishuar kostot. Për të evituar garën, pronarët e kompanive, u mblodhën dhe vendosën të bashkoheshin, për të vjedhur bashkërisht.

Edhe pse në Shqipëri ka shumë kompani që merren me ndërtime rrugësh të këtij niveli, asnjë prej tyre nuk hyri në garë. Ajo që e bën edhe më të dyshimtë mënyrën e dhënies së këtij koncesioni është mungesa e kompanive të huaja. Ky koncesion vetëm me një ofertë është më shumë dhënie e tenderit një kompanie të vetme me çmimin që ka kërkuar ajo dhe jo që i leverdis buxhetit të shtetit. Sipas ekspertëve dhe hetuesve, me këtë operacion korruptiv do të vidhen të paktën 150 milionë euro.
Afera korruptive 400 milionë euro me rrugën Qukës-Qafë Plloçë
Në vitin 2014 u lidh kontrata për lotin 1 të rrugës Qukës – Qafë Plloçë, ku firmat fituese duhet ta kishin përfunduar këtë segment në qershor të vitit 2018. Por, kanë kaluar 7 vite nga ky afat dhe sërish fituesi i këtij loti, firma “Albavia” ende s’e ka zbatuar kontratën, teksa dukshëm është favorizuar nga institucionet shtetërore, të cilat i kanë shtuar fondet dhe shtyrë afatin.
Por, pavarësisht këtij abuzimi të madh, firma jo vetëm që nuk është “ndëshkuar”, hetuar, gjykuar apo penalizuar, por vijon të marrë të tjera fonde për këtë segment, me tendera që dyshohet se janë të paracaktuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Pavarësisht se drejtuesit e ARRSH-së kanë ndryshuar, favorizimet dyshohet se vijnë me “urdhër nga lart”, pasi te institucionet apo drejtorët që kanë firmosur tendera për Qukës – Qafë Plloçë kanë favorizuar gjithnjë firmën “Albavia”.

Rruga filluar të ndërtohet para 15 vitesh dhe ende s’ka përfunduar. Megjithëse është vetëm 43 kilometra e gjatë, kostoja ka shkuar më shumë se 400 milionë euro, nga vetëm 150 të parashikuara në fillim. Sipas faqes zyrtare të ARRSH-së, sipërmarrësi i punimeve të lotit 1 është “JV Sintram & Albavia”. Afera është realizuar me kompaninë e kontraktuar për mbikqyrjen e punimeve, e cila ka firmosur situacione false për volume pune që nuk ekzsitojnë.
Fillimi i punimeve është bërë në korrik të vitit 2015, teksa vlera e punimeve ka qenë 38 milionë euro.
“Kontrata është lidhur në datë 9 maj 2014 dhe punimet duhet të kishin përfunduar në datë 23 qershor 2018. Aktualisht këto punime nuk kanë përfunduar ende” shkruante Kontrolli i Lartë i Shtetit në vitin 2019. Por, loti 1 ka marrë plot 22.6 milionë dollarë më shumë se projekti fillestar. Sipas KLSH-së, për lotin 1, janë realizuar 2 shtesa kontrate, janë miratuar 2 urdhër ndryshimi dhe janë në proces 2 urdhër ndryshimi të tjerë. Vlera e kontratës për lot 1, parashikohet të bëhet rreth 60.7 milionë USD, me një shtesë referuar kontratës bazë me vlerë rreth 22.6 milionë USD, ose 59 % më e lartë se parashikimi. Vlera e tenderit të ri ishte 3.5 milionë euro, teksa afati është 6 muaj. Vetë ARRSH shkruan se gjatë zbatimit të punimeve në lotin 0, që filloi në vitin 2009 dhe përfundoi në 2014-ën, pati rrëshqitje masive. “U bë spostimi i aksit në një gjatësi rreth 800 ml, i cili kishte një kosto shtesë prej 20% të vlerës së kontratës. Edhe me fondet shtesë, objekti nuk përfundoi 100% dhe nuk u vendos në shfrytëzim”, shkruan Autoriteti.
Ndërkohë, në fund të 2024-ës është shpallur fituesi i kësaj procedure. Dhe, s’kishte si të ndodhte ndryshe, pasi fituesi është një emër i njohur i ndërtimit të rrugës Qukës – Qafë Plloçë; firma “Albavia”! Ajo e cila mori 22.6 milionë USD shtesë për lotin 1, që është ngjitur me këto punime të pakryera.
Por, jo vetëm kaq, pasi oferta e firmës “Albavia” nuk ka qenë më e ulta në këtë tender. Oferta më e ulët ishte në vlerën e 202 milionë lekë, ndërkohë “Albavia” ofroi 246 milionë lekë. Diferenca është plot 44 milionë lekë, ose rreth 450 mijë euro. Dy firmat që ofruan më pak u skualifikuan nga “Gjylja” e ARRSH-së, i cili dukshëm favorizoi këtë firmë, duke ngjallur hije të mëdha dyshimi se gjithçka ka qenë e paracaktuar. Gjylen e ka mbërthyer SPAK-u, por lekët janë ndarë dhe vështirë të kapen se ku kanë përfunduar.

“Albavia” fitoi një tender edhe nga Bashkia e Pogradecit për një rrugë lidhëse të fshatrave të Mokrës me rrugën Qukës – Qafë Plloçë. Në vitin 2024, Bashkia e Pogradecit shpalli fituesin e tenderit “loti IV, Ura e Zëmçës – Kryqëzimi Proptisht, Bishnicë”, me një fond prej 220 milionë lekë.
“Albavia” fitoi këtë tender, megjithëse çështja shkoi në KPP apo edhe në gjykatë. Pra, nëse një firmë i fiton me lehtësi këto tendera, a mos vallë janë paracaktuar?! Të gjitha institucionet apo edhe titullarët që firmosën janë “vënë në radhë”, ndoshta me urdhër nga “ata lart”. Një burim i brendshëm tha se nëse një ditë BKH-ja do të sekustrojë këto dokumente, do të zbulojë një skemë të llahtarshme vjedhje.
Manovra e trashë
Para se Mimoza Hafizi të merrte mandatin e deputetes në vitin 2013, Hasan Hafizi ka hequr dorë formalisht nga kompania Albavia, duke i kaluar aksionet në emër të vëllait të tij, Genci Hafizi.

Megjithatë, edhe gjatë mandatit të deputetes Mimoza Hafizi, Hasan Hafizi dhe vajza e tij Adra Hafizi kanë përfituar para nga kompania Albavia, e cila nga ana tjetër përfitonte para publike. Pasi mandati i deputetes Mimoza Hafizi mbaroi, Hasan Hafizi u rikthye si aksioner i kompanisë Albavia. Bëhet fjalë për një lëvizje fiktive.

Hasan Hafizi me grupin e tij, ku përfshihen familjarë, ortakë biznesmenë dhe zyrtarë publikë, përfaqëson një nga linjat më famëkeqe të korrupsionit dhe pastrimit të parave në Shqipëri, linjë e cila çuditërisht është ende e pa atakuar nga SPAK-u.