Tuesday, July 21, 2026
  • Login
Maska.al
Advertisement
  • Kryesore
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • Ekonomi
  • BOTË
  • Rajoni
  • SOCIALE
  • OP-ED
  • SHOWBIZ
  • Sport
  • Kendi i Avokatit
No Result
View All Result
  • Kryesore
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • Ekonomi
  • BOTË
  • Rajoni
  • SOCIALE
  • OP-ED
  • SHOWBIZ
  • Sport
  • Kendi i Avokatit
No Result
View All Result
Maska.al
No Result
View All Result
Home AKTUALITET

Premtime me lopatë! Historiku i “mashtrimeve” në kohë fushate

Editor by Editor
in AKTUALITET, KRYESORE, POLITIKE
0
Premtime me lopatë! Historiku i “mashtrimeve” në kohë fushate
0
SHARES
Share on FacebookShare on Twitter

Është ajo pjesë e ciklit politik në të cilën, premtimet e palëve politike, në qeveri apo në opozitë, shpërthejnë në një nivel të paimagjinueshëm. Shqiptarët kanë dëgjuar rregullisht të tilla përgjatë dekadave të fundit.

Në vitin 1991, një politikan i Partisë Demokratike deklaroi në Tiranë se Shtetet e Bashkuara kanë premtuar një “Çek të bardhë” për Shqipërinë, në rast se shqiptarët mbështesnin Partinë Demokratike, në atë kohë e sapothemeluar dhe e përbërë në përgjithësi nga ish-komunistë ende të pakthyer në anti-komunistë. Togfjalëshi, i cili linte vend për fantazi, nënkuptonte që Shtetet e Bashkuara do të jepnin dorë të lirë për qeverinë pasardhëse për të kërkuar çfarëdolloj shume që nevojitej për të shpëtuar shqiptarët nga dekadat e varfërisë ekstreme dhe, në këtë kohë, më shumë se një dekadë mungese akute në treg të mishit, bulmetit e vezëve, mungesa të shkaktuara nga politika fantazmagorike e tufëzimit, dmth., sekuestrimit nga fshatarët pa pagesë të bagëtisë, përfshirë të trashat, të imtat apo pulat.

Premtimi ishte në një farë mënyre një gënjeshtër e lindur nga dëshpërimi. Diktatura komuniste lejoi krijimin e partive të tjera në dhjetor të vitit 1990, zgjedhjet e para u mbajtën në 31 mars të vitit 1991. Nuk kishte kurrfarë kohe, përveç të tjerave, që një parti opozitare të mund të përçonte mesazhin e saj dhe të fitonte zgjedhjet, në një popullsi të tromaksur nga 45 vjet jetesë nën një regjim dhune, terrori dhe propagande sloganesh pseudofetare që mund të kuptohet vetëm duke lexuar kapitullin e fundit të Fermës së Kafshëve.

Premtimi gjithashtu nuk duket se solli ndonjë efekt elektoral. Partia e Punës fitoi dy të tretat e parlamentit, ndërsa fitorja elektorale nuk i shërbeu dot për të qeverisur dhe menjëherë pas zgjedhjeve, krijoi një seri qeverish me bazë të gjerë, duke përfshirë përfaqësues të opozitës, para se të pranonte zgjedhjet e parakohshme më pak se një vit më vonë, ditën kur dorëzoi pushtetin te Partia Demokratike.

Kjo ishte hera e parë, por jo e fundit, kur shqiptarët dëgjuan premtime krejtësisht të pabesueshme, të cilat, gjithsesi, politikanët i shohin me leverdi që t’i bëjnë.

Ja një tjetër: Në vitin 1997, Fatos Nano iu përgjigj vuajtjeve të pjesës dërrmuese të popullsisë, e cila bashkërisht kishte humbur një shumë të vlerësuar prej 600 milionë dollarësh në skema financiare mashtruese, shumë që, nëse konvertohet në raport me gjendjen  e ekonomisë shqiptare sot është e barazvlefshme me 5 miliardë dollarë, duke premtuar thjesht dhe thatë: unë do t’ju kthej paratë.

Premtimi në fjalë u tha në një fjalim të mbajtur në Vlorë, qyteti më i  torturuar nga humbjet në skemat piramidale dhe trazirat civile që shkaktuan rreth 1800 vdekje të dhunshme. Një proces qesharak pasoi me qëllim të deklaruar hetimin dhe konfiskimin e çfarë mund të gjendej nga paratë dhe asetet e skemave financiare mashtruese. Një pjesë e qindarkave nga mali me para të humbura, të rekuperuara nga skemat piramidale, vijojnë të mbahen në llogaritë e shtetit pa iu kthyer viktimave apo trashëgimtarëve të viktimave të skemave piramirale edhe në vitin 2025.

Në zgjedhjet që pasuan, premtimet po kaq fatalisht të parealizueshme u përsëritën rregullisht. Efekti i tyre elektoral është i panjohur dhe i pamatur, por, nëse me të vërtetë një pjesë, sado e vogël e popullsisë, vendos se kujt do t’ia japë votën në bazë të këtyre premtimeve, gjasat janë që duhet të shqetësohemi seriozisht për nivelin e pabesueshëm të analfabetizmit politik dhe ekonomik tëelektoratit.

Në vitin 2005, Partia Demokratike u bë gati të marrë pushtetin me një platformë kundër korrupsionit. Perceptimi i gjerë publik në atë kohë dukej se ishte që kreu i opozitës, Sali Berisha, mund të kishte probleme, por gjithsesi, ishte i ndershëm. Ndërsa kundërshtarët e tij politikë kishin dëshmuar në qeverisjen e tyre tetëvjeçare një oreks të pamëshirshëm për para dhe luks, udhëtime jashtë shtetit, makina të reja.

Krahas mesazhit të luftës kundër korrupsionit, imazhi i opozitës u riorganizua si një forcë ekspertësh, me një strukturë që u prezantua me titullin “Komiteti i Orientimit të Politikave” [KOP], një numër të rinjsh dhe të rejash që u prezantuan si njerëz me ekspertizë nga fusha të ndryshme, nga ekonomia te mjedisi, të cilët, do të duhej të ishin mendja pas reformave të propozuara nga partia dhe qeveria e ardhshme.

Dukej sikur kjo formulë ishte e mjaftueshme për të bindur shqiptarët se nga mund t’ia mbanin dhe rezultati i zgjedhjeve ishte i tillë që nuk linte hapësirë për dyshime. Ndërsa socialistët garuan në përgjithësi me fantazmën e Berishës së tmerrshëm që shkaktoi tragjedinë e vitit 1997, apo me thasë me miell, të cilat u bënë pamja më e zakonshme e kandidatëve për deputetë që vinin, si edhe sot, nga ofiqet lukrative të administratës publike, tatime e dogana, ky avantazh i dukshëm nuk e shtyu Berishën të vetëpërmbahet nga premtimet bombastike të llojit të lugës së floririt. Mes premtimeve, ulja e Tatimit  mbi Vlerën e Shtuar nga 20 në 15%, shkallë tatimore 6% për energjinë elektrike, shkallë tatimore zero për disa mallra të caktuara. U premtua më tej dyfishimi i pensioneve. Nëse dikush shprehte dyshime për logjikën ekonomike të gjësë dhe pyeste se ku do të gjenden paratë, përgjigjja që merrte ishte e  thjeshtë dhe çarmatosëse: do i gjejmë nga paratë që na kanë vjedhur këta.

Në vitin 2013 ishte radha e Ramës për premtime të tilla. Përveç të tjerave, si reduktimi i TVSH-së për energjinë elektrike me dy të tretat, hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës për katër vjet, mes të cilave, përkundër çdo logjike ekonomike, 150 mijë do të hapeshin në bujqësi, Rama premtoi atë që e quajti “tatim të ndershëm”, një tatim fitimi 5% për biznesin e vogël. Kishte vetëm një problem, biznesi i vogël në atë kohë nuk  paguante tatim fitimi. Biznesi i vogël, përfshirë profesionistët, paguanin një tatim të thjeshtuar mbi xhiron, në masën 2%.

Me pak fjalë, Rama premtoi heqjen e një takse që nuk ekzistonte. Në një reklamë elektorale, një aktore që supozohej se përfaqësonte një biznes të vogël, shfaqej duke u shprehur e lumtur me premtimin për uljen e tatimit mbi fitimin për biznesin e vogël. Fakti që një tatim i tillë nuk ekzistonte, nuk e ndaloi Partinë Demokratike që t’i përgjigjej me një reklamë tjetër, në të cilën, një aktore tjetër shfaqej duke deklaruar se tatimi i fitimit për të ishte ulur, dhe paratë e kursyera i kishte investuar për zgjerimin e biznesit.

Sa i përket të tjerave, shqiptarët, në vend të “uljes së TVSH-së me dy të tretat” për energjinë elektrike, morën një rritje çmimi të energjisë elektrike, ndërsa, në vend të 300 mijë vendeve të reja të punës, morën, një lloj qeverisjeje në të cilën, niveli i korrupsionit gërryu potencialin e rritjes ekonomike të vendit.

Sot Shqipëria është në pikën më të keqe të imagjinueshme sa i përket realitetit demografik. Sipas të dhënave të Censit 2023, aktualisht ka 488 mijë shqiptarë në  moshën nga 0 deri në 18 vjeç, të cilët do të dalin në tregun e punës përgjatë tetëmbëdhjetë viteve të ardhshme. Ndërsa mes moshës 46 dhe 64 vjeç, pra popullsia që përgjatë tetëmbëdhjetë viteve të ardhshme do të dalë në pension, ka 653 mijë individë.

Ndërsa  Rama premton pension minimal 200 euro, aritmetika e thjeshtë do të thotë që këta 488 mijë shqiptarë, në çastin që do të hyjnë në tregun e punës, për të paguar minimalisht 200 euro pension për 653 mijë pensionistët e ardhshëm, do të duhet të kenë një barrë fiskale 268 euro. Gjatë vitit 2024, i punësuari në Shqipëri kontribuoi në skemën e pensioneve mesatarisht në masën 156 euro vetëm për të mbuluar pensionet minimale, pa marrë parasysh që, terminologjia aritmetike sugjeron se duhet të ketë edhe diçka tjetër që quhet pension mesatar në lojë, të punësuarit do të duhet të paguajnë 70% më shumë sigurime shoqërore nga sa paguajnë aktualisht.

Situata nuk është më mirë në pesë vitet e ardhshme, periudhë gjatë së cilës, supozohet se mbulohet nga premtimi i Ramës dhe i Berishës për pensione të larta. Shqiptarët në moshën 60-64 vjeç janë 194 mijë vetë, ndërsa shqiptarët në moshën 14-18 vjeç janë 141 mijë. Secili prej të rinjve që do të hyjë në tregun e punës, do të duhet të paguajë 1.4 pensione. E nëse pensioni i këtyre do të jetë minimalisht 200 euro,  secilit prej këtyre të rinjve do të duhet t’u kërkohen 280 euro çdo muaj, vetëm kontribut për sigurimet shoqërore.

Llogaritë aritmetike që nuk dalin duhet të jenë, në këtë diskutim, pjesa më e parëndësishme. Problemi më serioz duket se qëndron te fakti i mistershëm se si shqiptarët vijojnë të dëgjojnë nonsense të tilla dhe politikanët e tyre vijojnë t’i nxjerrin nga goja ato.

/ Gjergj Erebara / BIRN

Previous Post

Përgjimet, Veliaj urdhëron Arbrin për presion ndaj KLP-së: Thuaju “miqve deputetë” të merren me këtë

Next Post

Tri televizionet në shërbim të Veliajt për sulmin ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve

Next Post
Tri televizionet në shërbim të Veliajt për sulmin ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve

Tri televizionet në shërbim të Veliajt për sulmin ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve

Kamerat e sigurisë “fundosin” zyrtaret e Postës! Pamjet tregojnë lëvizjet e thasëve me para nga arka drejt zyrës së drejtoreshës
AKTUALITET

Kamerat e sigurisë “fundosin” zyrtaret e Postës! Pamjet tregojnë lëvizjet e thasëve me para nga arka drejt zyrës së drejtoreshës

by Redaktor Redaktor
July 19, 2026
0

Pamjet e kamerave të sigurisë janë një nga provat mbi të cilat Prokuroria mbështet dyshimet për përvetësimin e 69 milionë...

Read moreDetails
Doganierë të përfshirë? Skandali në Postën Shqiptare, Elisabeta Mataj tentoi të fshihej: Çfarë u zbulua në TIMS

Doganierë të përfshirë? Skandali në Postën Shqiptare, Elisabeta Mataj tentoi të fshihej: Çfarë u zbulua në TIMS

July 19, 2026
Ekskluzive/ “Sulmohen të dhënat e ProCredit Bank”, pretendimet që qarkullojnë online – banka reagon për Maska.al

Ekskluzive/ “Sulmohen të dhënat e ProCredit Bank”, pretendimet që qarkullojnë online – banka reagon për Maska.al

July 14, 2026
Kadastra u interesua në SPAK për Tur Shehun, hetimet për Shkollën e Biçikletave, lidhje mes të hetuarve dhe kompanive A&AMIV, Klajger Construction, NG Structures dhe Kryon.83

Kadastra u interesua në SPAK për Tur Shehun, hetimet për Shkollën e Biçikletave, lidhje mes të hetuarve dhe kompanive A&AMIV, Klajger Construction, NG Structures dhe Kryon.83

July 14, 2026
Atentat në Pogradec/ Kapet personi që siguroi vëzhgimin e shënjestrës, arrestohet edhe i plagosuri Brian Syzo

Atentat në Pogradec/ Kapet personi që siguroi vëzhgimin e shënjestrës, arrestohet edhe i plagosuri Brian Syzo

July 17, 2026
Facebook TikTok
Maska.al

Maska.al

Tel: 0696118290
Email: [email protected]

Shfletoni sipas Kategorisë

Lajmet e fundit

Rrezikonte mbytjen në lumin Vjosa në Këlcyrë, banori shpëton turisten 10-vjeçare

Rrezikonte mbytjen në lumin Vjosa në Këlcyrë, banori shpëton turisten 10-vjeçare

July 20, 2026
DETAJE nga të shtënat me armë në Elbasan/ Sherr mes adoleshentëve, 3 të plagosur

DETAJE nga të shtënat me armë në Elbasan/ Sherr mes adoleshentëve, 3 të plagosur

July 20, 2026

© 2023 Maska.al

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
No Result
View All Result
  • Kryesore
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • Ekonomi
  • BOTË
  • Rajoni
  • SOCIALE
  • OP-ED
  • SHOWBIZ
  • Sport
  • Kendi i Avokatit

© 2023 Maska.al