Një ditë pasi dorëzoi mandatin e deputetit Jurgis Çyrbja është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Durrësin, Oerd Bylykbashi, ka reaguar rreth kësaj çështje, teksa shprehet se “që nga fillimi i këtij mandati parlamentar në 2021, tre deputetë të PS-së “të votuar” me shumë “vota preferenciale”, kanë dhënë dorëheqje pak para se prokuroria të fillojë hetimet, ose gati 40% e listës së PS në qarkun e Durrësit. Vota preferenciale e zgjedhësve apo e krimit?”.
Bylykbashi vijon më tej teksa shkruan se Rama, pasi i përdor për vota, i hedh si limon i shtrydhur kandidatët dhe se pak para se të fillojë hetimi, u kërkon dorëheqjen.
Postimi
Lista e hapur apo lista e shqyer e PS?
Që nga fillimi i këtij mandati parlamentar në 2021, tre deputetë të PS-së “të votuar” me shumë “vota preferenciale”, kanë dhënë dorëheqje pak para se prokuroria të fillojë hetimet, ose gati 40% e listës së PS në qarkun e Durrësit. Vota preferenciale e zgjedhësve apo e krimit?
Të gjithë e dinë që në Durrës, por jo vetëm aty, Rama ka përdorur Kodin Penal dhe jo Kodin Zgjedhor për të hartuar listën e deputetëve.
Ka zgjedhur kandidatët që marrin më shumë vota duke përdorur si kriter llojin e veprës penale dhe masën e dënimit në Kodin Penal.
Rama, pasi i përdor për vota, i hedh si limon i shtrydhur. Pak para se të fillojë hetimi, u kërkon dorëheqjen.
Struc-izëm politik që Rama të fshehë kokën në rërë e të thotë nuk kam asnjë deputet apo ministër në detyrë të arrestuar, apo SPAK është i specializuar vetëm me ish-funksionarë, se nuk e lejon Rama?
Ky është standarti i votimeve që Rama i quan zgjedhje. Simbiozë e Politikës, Shtetit dhe Krimit.