Varhelyi vjen në Tiranë, konferencë me Ramën: Vaksinimi i Ballkanit Perëndimor është prioritet, 145 mijë doza ‘Pfizer’ janë dhuratë nga ana jonë 

 

Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi ka ardhur ditën e sotme në Tiranë, pas vizitës së djeshme në Maqedoninë e Veriut.

Ai ka mbërritur në orën 10:00 në aeroportin ‘Nënë Tereza’ në Rinas, ku po zhvillon një konferencë me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Fokusi kryesor i vizitës është ndihma e Bashkimit Europian për Shqipërinë për të përballuar pandeminë dhe dorëzimin e pjesës së parë të 145 mijë vaksinave të financuara nga Bashkimi Europian.

Kryeministri Edi Rama ka falenderuar Bashkimin Evropian dhe komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi për mbështetjen ndaj Shqipërisë.

Rama tha se Shqipëria është nga vendet që përfiton nga sasia e vaksinave që KE ka për Ballkanin Perëndimor.

“Më vjen natyrshëm të kujtoj se Komisioni ka mundësuar kualifikimin e vendeve të rajonit, flas për Shqipërinë. Për fondet për përballimin e pasojave shëndetësore të pandemisë përmes fondit të solidaritetit, janë afro 1 milionë euro që i takojnë Shqipërisë. Komisioni ka miratuar propozimin e paketës mikrofinanciare në mbështetje të Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër shuma totale prej BE prej 2.2 miliardë euro do të kontribuojë edhe për lëvrimin e sasive të vaksinave, ndërkohë që në Shqipëri kanë mbërritur dozat e para dhe deri në gusht, Shqipëria do të marrë të gjithë pjesën e saj të akorduar të vaksinave”, tha Rama.

Oliver Varhelyi u shpreh optimist se dalja nga pandemia është shumë afër. Ai tha se Shqipëria do të marrë një total prej 145 mijë doza Pfizer nga Bashkimi Evropian, që janë dhuratë.

“Ne kemi punuar fort dhe mendoj se po vijmë këtu në momentin e duhur, pasi tashmë po dalim nga pandemia. Për ne është prioritet që fqinjët tanë të kenë vaksina, dhe besoj se nuk është e nevojshme të them që BP është i rëndësishëm për ne. Me këto vaksina ju s’do të siguroni vetëm grupet shëndetësore, ju do të merrni 145 mijë doza të vaksinës Pfizer, jo vetëm që i sjell këtu BE, por janë financim i BE. Janë një dhuratë nga ana jonë, për t’ju treguar që ju keni rëndësi për ne. Një gjë tjetër që dua të bëj të qartë është se ne këtë gjë nuk do e kishim bërë dot të mundur pa miqtë tanë austriakë, që kanë qenë të rëndësishëm. Ne jemi përpjekur t’ju ndihmojmë me gjithçka kemi mundur, maska, respiratorë, etj. E tashmë sot ne po sjellim dozat e para të vaksinës”, tha Varhelyi.

Për t’u bërë pjesë e grupit të “Maska.al” dhe page ne FB mjafton të klikoni: Join Group dhe Like Page kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. 



Advertisement