“Fitoi anormalja”, Manjani bën llogaritë e mandateve: Rama do t’i humbte zgjedhjet, nëse s’do t’i ndryshonte rregullat

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, bëri një analizë politike zgjedhjeve të 25 prillit.

Përballë gazetarit Adi Krasta, Manjani i bëri një përllogaritje mandateve që mund të fitonte opozita, nëse Partia Socialiste nuk do të ndryshonte rregullat e futjes në zgjedhje, në mënyrë që PD dhe LSI të kishin mundësi të futeshin në listë të përbashkët.

“Kishte disa presione për njerëzit apo premtime jo të ligjshme, që nëse na votoni mirë, do ju falim gjobat, nëse jo, jeni të monitoruar. Njerëzit janë hallexhinj dhe unë jo se e pranoj, por e kuptoj shitjen e votës. Kjo ka ndodhur në një klimë jo lirie. Liria për të zgjedhur ka qenë e kufizuar.

Nuk ka qenë ‘fair’, e ndershme mënyra e procesit zgjedhor. Këto zgjedhje nuk kanë qenë të ndershme. Nuk jam me atë që të kenë shitur votën. Kjo është çështje morali. Dikush zgjedh lekun, dikush votën. Rregullat u ndryshuan gjatë lojës. Me ndryshimin e rregullave, PS ka marrë 6 mandate pa hyrë në garë ende.

Ky kryeministër e bëri sistemin zgjedhor me Parlamentin e skërbythyr. Ka hyrë në garë me 72 mandate në xhep. Ja bëri opozitës që edhe me kuç e me maç po t’i mblidhte, PS deri në 69 mandate do t’i kishte patjetër.

Se di çfarë ka ndodhur nëpër kutia. Por, ndershmëria e zgjedhjeve është e cunguar si asnjëherë tjetër. Deri para zgjedhjeve mund të kishim një shpresë, por mënyra se si u zhvilluan dhe nga llogaritjet duhej që rezultati të ishte ndryshe, opozita të kishte më tepër mandate.

E provojmë duke bërë llogari, nëse rregullat e lojës nuk do të ndryshonin nga socialistët.

Në Gjirokastër do ishte 2-2, por me ndryshimet doli 3-1.

Në Berat s’do ishim 5-2, por 4-3. Me koalicionin me PD, LSI-ja do kishte tjetër rezultat.

Në Vlorë do kishte tjetër rezultat, të paktën do të kishte një deputet më shumë të opozitës.

Në Durres dhe Elbasan do ishte barazim nga 7-7. Në Lezhë do kishte një deputet më shumë opozita e bashkuar.

Pra, zgjedhjet do ishin ndryshe, nëse rregullat s’do ndryshonin nga forca politike në pushtet.

Nuk i thua dot një vjedhje kësaj sepse është në ligj, por është vjedhje.

Por do kishte dhe një në Shkodër, edhe në Tiranë do kishte opozita një më tepër. 7 mandate dolën tani duke folur këtu.

Nëse skema do të ishte ajo e para 5 qershorit, Rama do t’i humbte zgjedhjet, ose më e pakta do ishin barazim.

Zgjedhjet duhet të ishin me një listë të përbashkët PD-LSI. Kjo ishte një gabim, sepse fitoi anormalja. Normale do ishte të mos fitonin, sepse uji që rri, qelbet, ashtu si kjo qeverisje”, analizoi Manjani.

Për t’u bërë pjesë e grupit të “Maska.al” dhe page ne FB mjafton të klikoni: Join Group dhe Like Page kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. 



Advertisement