Vrasja e Arjan Spahiut në Bruksel, prokurorët belgë zbarkojnë në Elbasan

Tre hetues së bashku me prokurorë e përfaqësues të ambasadës së Belgjikës kanë ‘zbarkuar’ në Elbasan, gjashtë muaj pas vrasjes së 38-vjeçarit Arjan (Ardit) Spahiu, ngjarje e ndodhur më 27 nëntor të vitit të shkuar. Mësohet se prokurorët dhe hetuesit kanë kryer takime me zyrtarë të lartë të policisë dhe prokurorisë në Elbasan, për të zbuluar më shumë informacione për të shkuarën e Spahiut.

E shkuara e 38-vjeçarit mund të çojë drejt zbardhjeve të konflikteve të vjetra dhe për pasojë drejt zbulimit të shkakut dhe personit që i mori jetën Spahiut mbrëmjen e 27-nëntorit në Bruksel. Grupi i hetuesve nga Brukseli ka qëndruar rreth katër ditë në Elbasan. Pritet që sot ose nesër ata të kthehen me dosje e materiale të reja në Belgjikë ku dhe do të vijojnë hetimet në pistat e ngritura.

Ardit (Arjan) Spahiu, 38 vjeç dhe banues në Elbasan u ekzekutua me tetë plumba në një nga lagjet më të njohura në Bruksel, në bulevardin ‘Edmond Machtens’, pranë lagjes së njohur Molenbeek.

Spahiu vdiq në vend si pasojë e plagëve të marra nga plumbat. Viktima, ka qenë i akuzuar 11 vjet më parë si organizator i vrasjes se Gëzim Alikajt, ngjarje e ndodhur në qytetin e Elbasanit, në afërsi të Urës së Zaranikës. Alikaj dyshohet se ka vrarë 13 vite më parë një të afërm të Arjan Spahiut, ç’ka ka bërë që hetuesit belg të dyshojnë se krimi ka ardhur si pasojë e hakmarrjes.

Një tjetër pistë është edhe ajo e luftës mbi kontrollin e territorit për trafikimin e drogës mes grupeve kriminale shqiptare në disa qytete europiane. Arjan Spahiu ishte edhe kunati i Erion Alibejt, i cili ndodhet në burg pasi akuzohet si oganizator i një sërë vrasjesh të ndpdhura në Elbasan.

Alibej akuzohet se ka organizuar vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të të shumëkërkuarit Talo Çela, Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Erion Alibej është vëllai i Endrit Alibejt, që u vra dy vite më parë në Bradashesh së bashku me xhaxhain e tij, Arben Dylgjerin dhe shtetasin turk Erdal Duranay. Nuk përjashtohet mundësia që edhe vrasja e Spahiu të jetë pasojë e këtij zinxhiri krimesh…

 

Për t’u bërë pjesë e grupit të “Maska.al” dhe page ne FB mjafton të klikoni: Join Group dhe Like Page kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. 



Advertisement