Edi Rama flet për fitoren dhe shprehet i gatshëm të bashkëpunojë me Partinë Demokratike

Nga sheshi “Skenderbej” në kryeqytet, kryeministri Edi Rama falenderoi të pranishmit në shesh (të vendosur jo në distancë sociale), njerëzit që i besuan, familjen e tij dhe tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me Partinë Demokratike.

“Kjo është fitorja më e vështirë, më bukur dhe më e madhe e Partisë Socialiste. Me gjithë numrin marramendës të fletëve të pavlefshme të atyre që kanë zgjedhur 12, por kanë gabuar me shenjën e preferencës, ne e kemi thyer rekordin tonë. Ky është rekordi historik i kësaj skuadre të madhe njerëzish të zakonshëm me fuqi të jashtëzakonshme të ambicies për Shqipërinë që nuk ka të dytë në këtë vend,” e nisi Rama fjalimin e tij.

Gjatë fjalimit, Rama u ndal edhe te nëna, Aneta, e cila u nda nga jeta pak kohë më parë.

“Është fitorja ime e parë në mungesën e dikujt që më ka ndenjur pranë, më ka ndjekur si hije me dashurinë pa kushte dhe përkujdesjen e pahekurt, dikujt që më mungon tmerrësisht pafund dhe shpresoj që po më sheh nga atje lart, nëna ime Aneta. Uroj që ajo të jetë krenare për mua dhe mirënjohëse për ju të gjithë, që në këto vite më besuat.”

Përpos të ëmës, ai falenderoi bashkëshorten dhe familjen.

“Një falenderim të veçantë për gjysmën time më të mirë, të vetmen opozitë që unë nuk e mund dot, por kënaqem kur kap barazimin, Linda Ramën, mamanë e palodhur të Zahos, nënën krenare të Reas dhe shoqen besnike të Gregut. Linda, është guri që na mbledh, burimi që na ushqen dhe drita që na energjizon ne të katërtve. Grua, shumë faleminderit. Faleminderit edhe Reas edhe Gregut që nuk na shkaktoni asnjë dhimbje koke, që nuk keni asnjë lidhje me fodullëkun dhe llastimin dhe që asnjëherë nuk i keni bezdisur apo nxehur njerëzit si disa fëmijë kryeministrash lart e poshtë këtu e gjetkë me mënyrën tuaj të jetesës. Jam shumë krenarë për të dy ju dhe uroj t’ju bëj krenarë gjithnjë.”

Në vijim, ai u ndal padyshim te humbja e Partisë Demokratike:

“Është detyra jonë, e familjes sonë të madhe dhe e imja personalisht në radhë të parë, që me fjalët dhe sjelljen tonë të mos i bëjmë të ndihen edhe më keq se ç’ndihen natyrshëm nga humbja e thellë, rivalët tanë demokratë. Lulzim Basha dhe Partia Demokratike bënë fushatën më të mirë në historinë e humbjeve të tyre. Ata ishin më skuadër se të gjitha herët e tjera. Demokratët ishin kundërshtarë jo dhe aq të lehtë këtë herë dhe meritojnë respektin tonë për përpjekjen serioze për të arritur të paarritshmen dot për ta. U them atyre sinqerisht se më shumë se kaq nuk bënin dot, madje bënë më shumë seç mund të bënin.”

Rama u shpreh i gatshëm për bashkëpunim dhe mesazhi i tij ishte:

“Mesazhi im i sinqertë për Lulzim Bashën është ky: Prano humbjen me dinjitet dhe me bindjen se nuk bëre dot çfarë deshe, por bëre gjithë çfarë munde […] Me ose pa Lulzim Bashën, ne e kemi shumë të qartë që opozita jonë e vetme është Partia Demokratike dhe fitorja jonë e madhe, e qartë dhe e thellë, nuk na i bën më të vogël, por më të madh detyrimin që t’i shtrimë dorën e një bashkëpunimi të sinqertë, konkret, demokratik, pa asnjë paragjykim apo kufizim Partisë Demokratike të Shqipërisë. Dua të jem kryeministri i të gjithë shqiptarëve, jo vetëm i atyre që më dhanë mandatin e tretë.”

Rama theksoi se Shqipëria nuk është ngjitur në majën që meriton nga politika e gabuar, por vetëm politika, pra bashkëpunimi i tyre me Partinë Demokratike, mund ta çojë në atë që ai e quajti “kampione e Ballkanit”.

“Prandaj, le të përpiqemi ta vëmë politikën më shumë se asnjëherë më parë në dispozicion të Shqipërisë, të amanetit të rilindasve dhe heronjve tanë dhe borxhit që u kemi fëmijëve tanë dhe fëmijëve të fëmijëve tanë. Shqipëria është shumë e vogël për të mos u bërë dot ajo që meritojnë shqiptarët. Shqipëria bëhet dhe duhet të bëhet dhe do ta bëjmë ne, shqiptarët e kësaj dekade, përtej pandemisë.”

Për t’u bërë pjesë e grupit të “Maska.al” dhe page ne FB mjafton të klikoni: Join Group dhe Like Page kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. 



Advertisement