Çrregullimi: Dëshira për të ngrënë produkte jo-ushqimore (si flokë, sapun, jashtëqitje etj)

Njerëzit me çrregullimin pica hanë në mënyrë të vazhdueshme produkte që nuk kanë vlera ushqyese. Një person me pica mund të hajë gjëra relativisht të padëmshme, të tilla si akulli. Por disa të tjerë mund të hanë sende potencialisht të rrezikshme, si për shembull copa metali. Në rastet më të këqija, çrregullimi mund të çojë në pasoja të rënda, siç është helmimi nga plumbi.

Ky çrregullim ndodh më shpesh tek fëmijët dhe gratë shtatzëna dhe zakonisht është i përkohshëm. Pica ndodh gjithashtu tek njerëzit që kanë aftësi të kufizuara intelektuale dhe shpesh është më e rëndë dhe më afatgjatë te njerëzit me aftësi të kufizuara të rënda në zhvillim.

Njerëzit me pica hanë gjëra që nuk janë ushqime, si: akull, sapun, butona, argjilë, flokë, gjëra të papastra, rërë, mbetje të cigareve, hirin e cigareve, ngjitës, shkumës, baltë, metale, jashtëqitje etj.

Çfarë e shkakton çrregullimin pica?

Nuk ka asnjë shkak të vetëm. Në disa raste, një mungesë e hekurit, zinkut, ose një lënde tjetër ushqyese mund të shoqërohet me këtë çrregullim. Për shembull, anemia, zakonisht nga mungesa e hekurit, mund të jetë shkaku themelor te gratë shtatzëna. Dëshirat e pazakonta mund të jenë një shenjë që trupi po përpiqet të plotësojë nivele të ulëta të lëndëve ushqyese.

Njerëzit me kushte të caktuara të shëndetit mendor, të tilla si skizofrenia dhe çrregullimi obsesiv-kompulsiv (OCD), mund të zhvillojnë pica si një mekanizëm përballimi. Disa njerëz madje mund të kënaqen dhe të dëshirojnë shumë të hanë produkte jo-ushqimore. Në disa kultura, ngrënia e argjilës është një sjellje e pranuar.

Dieta dhe kequshqyerja mund të ndikojnë gjithashtu. Në këto raste, ngrënia e artikujve pa vlera ushqyese i bën njerëzit të ndihen të ngopur.

Cilat janë rreziqet?

Ngrënia e artikujve të caktuar jo-ushqimorë ndonjëherë mund të çojë në kushte të tjera serioze. Këto kushte mund të përfshijnë:
– helmim
– infeksione parazitare
– bllokimet e zorrëve
– mbytje

Si diagnostikohet?

Nuk ka asnjë test për pica. Mjeku do ta diagnostikojë këtë gjendje bazuar te historikun dhe disa faktorë të tjerë.

Si trajtohet?

Trajtimi varet nga ndërlikimi i gjendjes. Nëse specialistët mendojnë se pica është shkaktuar nga çekuilibri i lëndëve ushqyese, mund t’ju rekomandojnë suplemente me vitamina dhe minerale. Përpos kësaj, mund të bëhet një vlerësim psikologjik nëse keni OCD ose gjendje tjetër të shëndetit mendor. Në varësi të diagnozës, përcaktohen barnat, terapitë ose të dyja. Nëse një person ka paaftësi intelektuale ose gjendje të rënda të shëndetit mendor, ilaçet për menaxhimin e problemeve të sjelljes ndihmojnë në zvogëlimin e dëshirës së tyre për të ngrënë artikuj jo-ushqyes.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit të “Maska.al” dhe page ne FB mjafton të klikoni: Join Group dhe Like Page kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. 



Advertisement